Mallkimi i artit
Realizimet me të cilat emërtohet arti modern, postmodern e konceptual, konkretisht “Urinori”, apo “Fontana” e Dyshanit, pastaj “Pështyma” e Shvitersit, “Jashtëqitja” e Boisit dhe Manzonit etj., janë larg të qenit të bukura. Mirëpo, qëllimi, por edhe ideali i këtyre mjeshtërive dhe të ngjashmëve me to, nuk është të korrespondojnë me të bukurën e nga kjo edhe me ndjenjat, por më të vërtetën, me RATI-ON-logjikën, pra me ato kategori të mendjes njerëzore, me të cilat merret filozofia
Ajo që ishte për të thënë u tha, ajo që imponohej nga koha u realizua, tash kanë ardhur kohë të tjera me tru të dixhitalizuar, me programe të kompjuterizuar. Filozofinë e zëvendëson kibernetika, harmoninë kaosi dhe destruktivizmi, të bukurën e vërteta. Arti, përkatësisht, krejt ajo që mund të përfshihet me nocionin art, mbeti brenda nëpër muze, galeri e nëpër koleksionet private. Kjo që doli jashtë tyre, nuk është art, por antiart, pra e kundërta e asaj mrekullie njerëzore të ngujuar dhe të varur nëpër muret e muzeve botërore, ç’pret se ekziston specia e vetëdijshme njerëzore.
Sot, me shpikjen e internetit, me programe të specializuara dhe të gatshme kompjuterike, mund të mësohen të thuash të gjitha vokacionet dhe disiplinat e artit pamor, konkretisht: vizatimi (i lirë, analitik, gjeometrik etj.), piktura (akuareli, temperta, guashi, akryli, olio etj.), skulptura, (monumentale, urbane, relievore, barilievore, etj.) grafika, (dixhitale solare etj.) dizajni (grafik, industrial, tipografik etj.) si dhe gjini të tjera të artit figurativo-aplikativ. Me përsosjen e industrisë, teknikës dhe teknologjisë, gjithnjë e më tepër po përsosen edhe mundësitë kreative përmes Adob-it, Fotoshop-it, Korel-it e nga ueb-faqet e internetit.
Nga krejt ky pastish artistike (Bodiar) imponohet, apo më mirë themi ri-imponohet kushedi për të satën herë pyetja: “ǒështë në të vërtetë sot arti?”. Dhe pikërisht kjo parodi artistike që po zhvillohet sot, jep përgjigjen e pritur me shekuj, duke kthyer artin në kuptimin e vet burimor, terminologjik, ku thuhet se fjala art vjen nga gjuha greke “ars”, që do të thotë, mjeshtri, shkathtësi mjeshtërore, zeje, apo zanat. Pra atë, që sot po plasohet, po cilësohet dhe po pranohet si art i kohës, madje edhe si maje e këtij arti (modern, postmodern, avanguard, konceptual instalativ, performativ, video-projektiv etj.) lirisht mund ta quajmë mjeshtri apo shkathtësi, pikërisht siç e quajti Platoni në kohën e vet, pra para mbi 2000 vjetëve. Filozofi i lashtë grek, ç’është e vërteta, punën e artit e banalizoi pak, madje edhe e devolvoi duke e krahasuar me punë marangozësh e këpucarësh, mirëpo të bukurën e ngriti aq lart sa e hyjnizoi. Modernistet, sakaq, të bukurën e kanë ulur aq poshtë, sa për të as që diskutojnë, e lëre më ta aplikojnë në kreacionet e tyre.
Duke u marr me instalacione, performanca e video-projeksione, duke trajtuar tema triviale (erotike, pornografike, transversiste) skizofrene, parodike, duke afirmuar kiçin si vlerë dhe si imperativ të kohës, artistët po i kontribuojnë drejtpërdrejt suprimimit të asaj që deri dje quhej art e sot njihet me termin “antiart”, përkatësisht mjeshtri, që është njësoj. “Pjesa më e madhe e artit bashkëkohor, merret me banalitete, me mbeturina, dhe me dukuri mediokritetesh (...) në këtë mënyrë arti po tallet me përfundimin dhe objektin e vet trajtues, thotë Zhan Bodriard (Jean Baudrillard) në studimin e tij “Mallkimi i artit”. Sipas këtij esteti e filozofi, “kjo paranojë që kontribuon në suprimimin e artit, bën që të mos ketë më as gjykim kritik mbi artin. Pra Zh. Bodriari, artin e kohës sonë e konsideron çmenduri, paranojë, që maskohet mirë pas ideve dhe koncepte, duke u quajtur herë art konceptual e herë avanguard.
Çdo art, apo më mirë të themi, arti i çdo kohe e kishte idealin e vet, kishte cakun suprem që e synonte vazhdimisht. Cili është ideali i artit të sotëm, dhe a ka deal ky art-është pyetje e pashmangshme. Përgjigjja është dëshpëruese, sepse ajo që dikur synohej si ideal i përsosur artistik, ishte e bukura, e cila në mënyrë represive sot është zëvendësuar nga e vërteta, dhe është flakur midis mbeturinave të kohës. Realizimet me të cilat emërtohet arti modern si term që metastazon edhe në artin postmodern dhe konceptual, konkretisht “Urinori” i Dyshanit, “Mona Liza” e tij me mustakë e mjekër, pastaj “Pështym” e Shvitersit, “Jashtëqitja” e Boisit apo Manzonit etj., janë larg të qenit të bukura e aq më pak të ngacmojnë botën estetike, ndjenjat, emocionet. Mirëpo, qëllimi, por edhe ideali i këtyre mjeshtërive dhe të ngjashmëve me to, nuk është të korrespondojnë me të bukurën e nga kjo edhe me ndjenjat, por më të vetën, me rati-on, logjikën, pra me ato kategori të mendjes njerëzore, me të cilat merret filozofia. Dhe nëse është e vërtetë se burimet ontologjike të artit gjenden në filozofi, atëherë, bëhet e qartë se arti apo mjeshtëria artistike, po i kthehet djepit të vet mijëvjeçar, nga i cili në mënyrë artificiale u mundua ta nxjerrë, ta shkëpusë Baumgarteni dhe përkrahësit e estetikës së tij.