E Shtunë, 31 Tetor 2026

I kthejnë të moçmit

Katër skuadrat e para të TechnoMarket Superligës së Kosovës në basketboll, Sigal Prishtina, Trepça, Bashkimi dhe Peja, kanë filluar të mendojnë për garat e play off-it.

Në garat vendimtare për titullin e kampionit, adhuruesit e basketbollit kosovar, sipas të gjitha gjasave, do të mund t’i shohin sërish disa nga basketbollistët e huaj, të cilët në vitet e kaluara aktivizoheshin në Superligën e Kosovës.

Ish basketbollisti i njohur i Dukagjinit të Pejës, Enes Haxhibulliq është përforcimi i fundit i Bashkimit. Klubi prizrenas në ditët në vijmë pritet të përforcohet edhe me ish lojtarin e njohur të Sigal Prishtinës dhe Pejës, Muhamet Thaçi, i njohur me pseudonimin Muja.

Kryetari i Bashkimit, Fadil Sahiti, thotë se skuadra e tij ka vendosur të përforcohet me këta dy lojtarë për arsye se janë atraktivë për shikues dhe se e njohin mirë mentalitetin e basketbollit kosovar.

“Arsyeja e parë që kemi vendosur të përforcohemi me Haxhibulliqin e Thaçin është se të dy këta janë lojtarë vendorë dhe janë basketbollistë mjaft cilësorë. Të dy këta e njohin mirë basketbollin kosovar dhe janë shumë atraktivë për shikues”, deklaroi Sahiti për Express, i cili paralajmëroi se skuadra e tij do të përforcohet edhe me basketbollistë tjerë në javët në vijmë, varësisht nga kërkesat e kryetrajnerit.

Ndërkohë, edhe Sigal Prishtina me gjasë do ta rikthejë ndonjërin prej basketbollistëve, të cilët edhe më parë patën luajtur me këtë skuadër. Drejtori i këtij klubi, Ismet Karaxha, tregoi se ekipi i tij po negocion me qendrën amerikane Keena Young dhe me ish lojtarin tjetër të tij, Marvett McDonald.

“Ne po mendojmë që edhe në play off të luajmë me këtë ekip që kemi, sepse kemi krijuar një kuadër të mirë me basketbollistë vendorë. Neve na janë ofruar ish dy basketbollistët tonë, Young dhe McDonald. Nëse vendosim të përforcohemi, atëherë me gjasë do ta marrim Keena Young, sepse më së shumti kemi nevojë për një qendër”, tha Karaxha për Express.

Edhe zyrtarët e Trepçës preferojnë që të përforcohen me ndonjë basketbollist, të cilët edhe më parë kanë luajtur në Kosovë.

“Ne do t’ia propozojmë trajnerit ndonjë lojtar të atillë që edhe më parë ka luajtur në Kosovë. Më pas trajneri është ai që vendos. Duam ta marrim ndonjë lojtar kualitativ që luan me zemër dhe që i ndihmon ekipit”, pohoi zyrtari i lartë i Trepçës, Besim Braha.

Kurse edhe Peja paralajmëron përforcime. “Qytetarët e Pejës, pavarësisht moshës dhe gjinisë, të gjithë janë të lidhur me basketbollin. Ata duan që Peja të aplikojë lojë atraktive dhe për hir të tyre kemi vendosur të përforcohemi me një apo dy basketbollistë tjerë. Tashmë ne veç e kemi në ekip një basketbollist slloven”, theksoi zyrtari i Pejës, Riza Gjakova.

Deri te fillimi i garave të play off-it kanë mbetur për t’u zhvilluar edhe gjashtë xhiro të garave të rregullta kampionale.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›