E Diel, 1 Nëntor 2026

“I ktheu efektivët në mercenarë të tij!” – Dhuna policore në protestë, Artan Hoxha: Rama i ‘doroviti’ dhe i tha të vazhdojnë aksionet! Do të dalin përgjimet ku janë dhënë urdhrat

Gazetari Artan Hoxha ka bërë akuza të forta ndaj kryeministrit Edi Rama lidhur me dhunën nga ana e Policisë së Shtetit ndaj studentëve dhe protestuesve, duke u shprehur se kreu i qeverisë i ktheu policët në ‘mercenarë’.

artan hoxha news

Hoxha u ndal te takimi i Ramës me efektivët e Policisë, duke e cilësuar mënyrën e shpërblimit të tyre si një formë “dorovitjeje”.

“Rama e ktheu Policinë për interesin e vet. Është Policia e Shtetit shqiptar, jo e Edi Ramës. Por Rama, me atë takim me ata dhe sidomos me atë lloj mënyre ‘dorovitjeje’ që bëri… Ai ua bëri të qartë: vazhdoni, qëndroni, ndaj u dha edhe shpërblimin atyre, sepse pas jush jam unë dhe unë do të shpërblej dhe do të mbështes këdo nga ju që në këto momente më shërben”, deklaroi ai në News24.

Hoxha foli gjithashtu për presionet dhe kundërshtitë brenda radhëve të Policisë gjatë protestave. Ai tha se disa njësi nuk u janë përgjigjur thirrjeve dhe paralajmëroi se komunikimet e efektivëve përmes radiove janë të regjistruara dhe mund të bëhen publike.

“Ka pasur presione, sepse unë e di që nga brenda policisë ka pasur kundërshti, ka pasur probleme. Ka ndodhur në disa raste që policia nuk është përgjigjur, ka pasur njësi të caktuara që nuk i janë përgjigjur thirrjes. Do të dalin përgjimet e plota, komunikimet që kanë pasur ata në radio janë të regjistruara”, u shpreh gazetari.

Ai shtoi se pas publikimit të një pasazhi ku dëgjohej shprehja “Mos u kurseni”, pritet të dalin edhe komunikime të tjera, të cilat, sipas tij, janë më të ashpra.

Gazetari ngriti shqetësime për përdorimin e gazit lotsjellës në zonat e banuara të Tiranës, duke theksuar se një gjë e tillë mund të prekte edhe fëmijët dhe të moshuarit.

“Kanë qenë aq keq, sa edhe gazin e kanë hedhur në mënyrë të gabuar. Sasia e gazit që përdoret, intensiteti i gazit që u përdor, vendi ku u hodh gazi, nuk mund të hedhësh gaz në lagjet, brenda lagjeve të Tiranës. Aty ka nëna me fëmijë, ka të moshuar. Ka një lloj limiti”, tha Hoxha.

Ai u ndal te përdorimi i plumbave të gomës, duke theksuar se gjatë protestave janë shkelur rregullat për përdorimin e tyre, pasi duhet të përdoren vetëm pasi të identifikohet personi që përbën rrezik për policinë dhe duhet të qëllohen në gjymtyrë.

“Janë qëlluar nga mesi e lart, është shkelje. Është qëlluar në turmë, në masë. Nëse qëllohet në distanca të papërcaktuara, mund të shkaktojë edhe humbje jete, sepse ka fuqi depërtuese”, përfundoi ai.

Artan Hoxha: Rama e ktheu Policinë për interesin e vet. Është Policia e Shtetit shqiptar, jo e Edi Ramës. Por Rama, me atë takim me ata dhe sidomos me atë lloj mënyre “dorovitjeje” që bëri, e trajtoi policinë në këtë mënyrë, kur Policia është më e keqpaguar në vend, më e keqtrajtuara, më e keqpajisura. Sapo e pa në protestë, ai porositi menjëherë automjetet ujëhedhëse.

Pra, papritmas kryeministri kujtohet dhe i çon 8 milionë euro nga paratë e taksapaguesve dhe ua jep si dorovitje për t’i kthyer në mercenarë. Policia ka bërë betimin para flamurit. Ai ua bëri të qartë, vazhdoni, qëndroni, ndaj u dha edhe shpërblimin atyre, sepse pas jush jam unë dhe unë do të shpërblej dhe do të mbështes këdo nga ju që në këto momente më shërben.

Ka pasur presione, sepse unë e di që nga brenda policisë ka pasur kundërshti, ka pasur probleme. Ka ndodhur në disa raste që policia nuk është përgjigjur, ka pasur njësi të caktuara që nuk i janë përgjigjur thirrjes. Do të dalin përgjimet e plota, komunikimet që kanë pasur ata në radio janë të regjistruara. Vetëm një pasazh doli, kur ai thoshte: “Mos u kurseni”. Do të shohim komunikime të tjera që janë më të ashpra se këto. Unë po them që, kur gjetëm radion e urdhrave të 21 Janarit pas 12 vitesh, këto i gjejmë për dy ditë. Këto do të dalin.

Për sa i përket vullnetit për të hetuar, ne pamë që nuk ka. Pas çdo proteste, pamë që ekspertët e policisë dhe të kriminalistikës paraqiteshin në vendngjarje me policinë gjyqësore, por aty nuk ishte prokuroria që të hetonte dhunën që ishte “live”. Një oficer policie duhej të ulej para një televizori dhe të dokumentonte çdo ditë me dhjetëra raste të tejkalimit të zbatimit të ligjit nga radhët e policisë.

Pra, kanë qenë aq keq, sa edhe gazin e kanë hedhur në mënyrë të gabuar. Sasia e gazit që përdoret, intensiteti i gazit që u përdor, vendi ku u hodh gazi: nuk mund të hedhësh gaz në lagjet, brenda lagjeve të Tiranës. Aty ka nëna me fëmijë, ka të moshuar. Ka një lloj limiti. Ti e ke parë që gaz u hodh nëpër rrugica.

U kalua te pjesa tjetër, te përdorimi dhe tejkalimi i përdorimit të plumbave të gomës, ku u shkel haptazi rregullorja. Nëse rregullorja e ka përcaktuar qartë që plumbat e gomës, së pari, duhet të identifikosh personin që qëllon, çfarë rreziku shkakton ai për policinë dhe pastaj ta qëllosh në gjymtyrë.

Janë qëlluar nga mesi e lart, është shkelje. Është qëlluar në turmë, në masë. Nëse qëllohet në distanca të papërcaktuara, mund të shkaktojë edhe humbje jete, sepse ka fuqi depërtuese.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›