I masakruari në Gërdec padit qeverinë
Bashkim Muka ka humbur njërin krah dhe është në gjendje paralize. Kërkon pension për vete e familjen
Kërkesa në gjykatë. Nën akuzë edhe “Albademil” e Ministria e Mbrojtjes
Një i plagosur nga tragjedia e Gërdecit ka paditur në Gjykatën e Tiranës Këshillin e Ministrave, duke kërkuar pension invalidi për veten dhe familjen. Bashkim Muka ka humbur njërin krah nga ngjarja, si dhe ka pësuar dëmtime në pjesë të ndryshme të trupit. Padia është regjistruar në gjykatën civile të Tiranës dhe të akuzuar, krahas qeverisë, është edhe shoqëria “Albademil” e Ministria e Mbrojtjes. Objekti i padisë është: “shpërblimi i dëmit të rrjedhur nga dëmtimi i shëndetit fizik dhe psikik, si dhe shpërblimi i dëmeve të tjera rrjedhur nga fitimi i munguar”. Gjyqtari që do të gjykojë këtë padi është Arben Kostandini, ndërsa ende nuk është caktuar seanca e parë. Sipas padisë, 56-vjeçari ka humbur aftësinë për të punuar çka ka sjellë mungesën e të ardhurave financiare për familjen e tij. Ai ishte i vetmi person që fitonte të ardhurat për të mbajtur fëmijët. Tashmë, shëndeti i tij është i përkeqësuar dhe familja në kushte të rënda shëndetësore. Arif Muka, i vëllai i Bashkimit, tha për gazetën “Shqip” se shteti duhet të kujtohet për të plagosurit e tragjedisë, pasi nuk kanë asnjë të ardhur për të kuruar plagët dhe për të mbajtur familjen.
Viktima e tragjedisë
Sipas padisë së regjistruar në Gjykatën e Tiranës që mban numrin 5270, Bashkim Muka ka pësuar plagë të rënda nga shpërthimi i fabrikës së demontimit të municioneve në Gërdec. Ditën e ngjarjes ka qenë rreth 200 metra, vijë ajrore, nga fabrika, duke kullotur bagëtitë. Befas dëgjon një shpërthim të fuqishëm dhe pas disa minutash e gjitha fabrika ka shpërthyer. Sipas familjarëve të tij, pjesët metalike dhe avulli i krijuar nga shpërthimi e kanë goditur Bashkimin, duke e hedhur disa metra më tutje. Persona të rastësishëm dhe më pas familjarët e kanë shoqëruar më pas në spitalin më të afërt, duke marrë mjekimet e duhura. Gjendja e tij ishte kritike për jetën dhe me ndihmën e ambasadës greke është transportuar në Selanik ku i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale. Si pasojë e plagëve të rënda në pjesë të ndryshme të trupit 56-vjeçari ka humbur njërin krah. Të afërmit deklarojnë se pas kthimit nga Greqia, Bashkimi duhet të kurohet jashtë vendit. Disa muaj më parë ai është vizituar në një klinikë të specializuar në Slloveni, ndërsa shteti shqiptar, pas kësaj kohe, ka ndërprerë ndihmat, duke lënë familjen e Bashkim Mukës në mëshirë të fatit dhe pa asnjë të ardhur.
Qeveria nën akuzë
Krahas Ministrisë së Mbrojtjes dhe kompanisë së demontimit të municioneve “Albademil”, e paditur për shpërthimin e fuqishëm të 15 marsit 2008 është edhe qeveria “Berisha”. Padia e Bashkim Mukës nuk është e vetmja kundër Këshillit të Ministrave. Sipas burimeve nga Gjykata e Tiranës, po gjykohet edhe kërkesa e trashëgimtarëve të viktimave të Gërdecit që kërkojnë dëmshpërblim për dëmin e shkaktuar. Në këtë rast e paditur është qeveria dhe ndërmarrja e shitblerjeve të armëve “MEICO”. Trashëgimtarët deklarojnë se “me veprimet dhe mosveprimet e Kryeministrit Berisha, Këshilli i Ministrave i ka hapur rrugë procedurës së trajtimit të armëve, teknikës dhe pajisjeve të Forcave të Armatosura, nga ku zë fill gjithë kjo veprimtari demontimi, e cila ka sjellë këtë pasojë kriminale”.
#