Leku dobësohet kundrejt euros dhe dollarit
Kursi
Leku shqiptar vijoi dje të humbasë terren njëkohësisht kundrejt euros dhe dollarit, duke shënuar një nga nivelet më të ulëta në dekadën e fundit, bëhet e ditur nga të dhënat e kursit fiks që publikohet në mesditë nga Banka e Shqipërisë. Një euro kushtoi dje 138.6 lekë, shumë pak qindarka poshtë kuotës 138.88 lekë, që është edhe maksimumi i shënuar që nga koha kur euro doli si monedhë fizike në qarkullim. Një dollar kushtoi dje 98.51 lekë, kuota më e lartë e shënuar që nga vera e vitit të kaluar. Ulja e fluksit të shpenzimeve të qeverisë gjatë muajve të fundit ka sjellë edhe reduktim të shpejtë të importeve e rrjedhimisht edhe stabilitet në kursin e këmbimit të lekut. Ekspertët vlerësojnë se muajt shkurt e mars mund të sjellin presion të ri mbi lekun, pasi disa korporata të rëndësishme në këtë kohë kryejnë konvertimet e fitimeve të veta dhe riatdhesimin e tyre. Goditjet më të forta leku i pësoi pikërisht në shkurt dhe mars të vitit 2009. BSH ka këshilluar korporatat që të kryejnë blerjen e valutës gradualisht. Megjithatë, ekspertët vlerësojnë se lëvizjet në kursin e këmbimit gjatë vitit të fundit kanë qenë krejtësisht të paparashikueshme dhe se çdo prognozë duhet të merret me rezerva.
#