E Martë, 3 Nëntor 2026

I mituri pretendoi se u dhunua në komisariat, AMP kërkon hetim penal ndaj 3 punonjësve të policisë

TIRANË, 24 prill /ATSH/ Policia e Tiranës reagoi sot pas njoftimit të Komitetit Shqiptar të Helsinkit se një i mitur i ndaluar është dhunuar gjatë ndalimit në ambientet e Komisariatit të Policisë nr.1 në Tiranë.

Policia sqaroi se me në 12 prill shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1 kanë shoqëruar në ambientet e këtij komisariati, 14-vjeçarin që pretendon se është dhunuar, mbi dyshime se kishte hedhur lëndë piroteknike, në zonën e Liqenit Artificial, veprim i cili ishte njoftuar nga banorët e zonës, pasi ishte shkaktuar panik dhe shqetësim te ta.

Për këtë shtetas Policia referoi materialet në Prokurori, ku u vendos procedimi i tij në gjendje të lirë, për veprën penale “Prishja e qetësisë publike”. Për këtë rast është dhënë njoftim në përmbledhjen ditore të qarkut Tiranë, më datë 13 prill.

Sipas policisë, në bazë të pretendimeve të prindërve të të miturit, se ai është dhunuar gjatë qëndrimit në ambientet e Komisariatit, me urdhër të Drejtorit të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, po më 13 prill ka nisur ecuri disiplinore, për shkelje të rëndë, për: Inspektor D. M., oficer i Patrullës së Përgjithshme të Komisariatit të Policisë Nr. 1; Inspektor R. D., oficer i Patrullës së Përgjithshme të Komisariatit të Policisë Nr. 1; Nënkomisare Xh. B., specialiste e Seksionit të Patrullës së Përgjithshme dhe Rendit të Komisariatit të Policisë Nr. 1”.

Gjithashtu, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, më 15 prill ka referuar materialet në Prokurori, me qëllim hetimin penal të 3 punonjësve të Policisë, për veprat “Kryerja e veprimeve arbitrare” dhe “Dëmtime të tjera me dashje”.

Ndërkohë, Drejtoria e Standardeve Profesionale, me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, ka nisur menjëherë një hetim administrativ, për të verifikuar nëse 3 punonjësit e Policisë kanë shkelur kompetencat dhe detyrimet që iu caktojnë rregullorja e Policisë së Shtetit dhe procedura standarde e punës.

“Theksojmë se strukturat e Policisë së Shtetit dhe ato të Policisë së Tiranë janë maksimalisht të angazhuara për të dokumentuar me prova ligjore rrethanat e këtij rasti dhe për të reaguar shpejt, me paanësi dhe konform ligjit, për nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale, të përgjegjësve”, nënvizoi policia. /j.p/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›