I moshuari fiton dëmshpërblim, u mbajt në burg sepse puthi fëmijën e fqinjit
Tiranë- Një 67-vjecar nga Tirana ka fituar përballjen kundër prokurorisë dhe policisë për kompensim të burgimit të padrejtë gjatë hetimeve që po zhvilloheshin ndaj tij për akuzën e veprave të turpshme.
Pensionisti H.Ç nga Tirana, është ndodhur nën akuzë përgjatë shtatorit 2010 e në vijim pasi sipas prokurorisë, ai ka thirrur nga dritarja e apartamentit një 12-vjecare, që e kishte fqinje, duke i thënë të afrohej se do ti jepte çokollatë.
Sipas akuzës, e mitura është afruar dhe i moshuari i ka thënë të ngjitej lart për të marrë cokollatat, dhe kur ai i ka thënë të hyjë në banesë, vajza nuk ka pranuar. Atëherë i moshuari ka marrë tre cokollata, ka dalë nga shtëpia dhe kur ja ka dhënë vajzës e ka puthuar në ballë.
Për këtë episod ai është arrestuar dhe është mbajtur 400 ditë në paraburgim, ndërkohë që gjatë procesit gjyqësor, Gjykata e Apelit ka vlerësuar se prokuroria nuk e ka provuar akzuën e saj, se i moshuari kishte kryer vepra të turpshme.
Sipas Gjykatës së Apelit, nuk mund të provohet fajësia për këtë vepër vetëm me thëniet e vajzës, e aq më tepër që prokuroria, me gjithë vlerën emocionale të ngjarjes, nuk solli prova.
Mbi këto argumenta gjykata e pushoi gjykimin, duke u shprehur se nuk mund të ndëshkohet penalisht një person për një vepër penale që nuk e ka kryer pasi pasojat në këtë rast janë të pariparueshme për të dhe familjen e tij aq më shumë që i moshuari ka deklaruar se e ka puthuar vajzën pasi i kujtohej një fëmijë i tij, që i kishte humbur jetën në një aksident automobilistik.
Me këtë vendim ku nuk provohet fajësia e tij, i moshuari Copani ka fituar një tjetër proces civil në gjykatë, duke fituar të drejtën për kompensim të burgimit të padrejtë në shumën e 348 mijë lekëve.