Pogradeci, qyteti i luleve ku perimet shiten mes baltës e ujërave të zeza (FOTO)
—-Nga Erina Laska—-
Pogradec- Rruga e tregut të frutave dhe perimeve në qytetin e Pogradecit shtrohet vetëm me premtime në kohën e fushatës zgjedhore. Përveç gropave dhe pellgjeve me ujë, shqetësuese mbeten edhe disa ambiente të cilat janë të ndotura nga ujërat e zeza. Pikërisht në këto mjedise, prej vitesh shiten fruta dhe perime të vendosura në baltë në një rrugë fund e krye të shkatërruar. Situata bëhet më kritike kur bie shi dhe kjo rrugë shndërrohet në një lumë.
Shitësit e këtij tregu shprehin shqetësimin se gjendja e keqe e rrugës ndikon tek shitjet sepse për shkak të kushteve qytetarët nuk zgjedhin këtë treg. Kemi dëgjuar shumë herë që nuk vijnë të blejnë këtej sepse ka baltë. Edhe pse janë cmimet më lirë këtej për shkak të rrugës nuk vijnë, tha një nga shitëset e tregut.
Edhe qytetarët shprehin pakënaqësitë e tyre rreth kushteve të këtij tregu. Shiko se si shiten, shiko rrugën, duhet të veshësh cizmet të bësh Pazar,- tha një nga blerësit e këtij tregu.
Nga shitësit mësojmë gjithashtu se në kohën e fushatës zgjedhore premtohet se rruga do rregullohet, por cdo gjë mbetet tek premtimi dhe gjendja e mjeruar. Vijnë, premtojnë kot se rruga do shtrohet, vetëm gënjeshtra. Ne jemi të rregullt, taksat i paguajmë gjithmonë dhe shiko në cfarë kushtesh shesim,- tregon për Gazetën IDEA një tjetër shitës.
Ajo që i ve vulën gjendjes së degraduar të këtij tregu janë disa ambiente me ujra të zeza. Më kritik është kati i nëndheshëm i një pallati i cili është i mbushur plot me mbeturina dhe ujë të pistë. Ashtu ka qënë gjithmonë, e mbushur me ujë dhe plehra. Në verë bie erë shumë të keqe. A është normale kjo? Vetëm krokodilat mungojnë aty, shprehet e indinjuar nga shitëset.
Duket se edhe tregtarët nuk kujdesen siç duhet për ambientin ku shesin. Pas mbarimit të ditës mbeturinat, frutat dhe perimet e mbetura, i hedhin qosheve. Fotot e marra nga Gazeta Online IDEA tregojnë kushtet e rënda të këtij tregu.
Qyteti i luleve ku perimet shiten mes baltës e ujërave të zeza
◄ Back
Next ►
Picture 1 of 5