E Martë, 3 Nëntor 2026

I nxehti ekstrem, 14 të vdekur dhe 17 të zhdukur gjatë pelegrinazhit të Haxhit në Arabinë Saudite

Të paktën 14 qytetarë jordanezë kanë vdekur gjatë pelegrinazhit të Haxhit në Arabinë Saudite, për shkak të nxehtësisë. Ministria e Jashtme e Jordanisë tha se 14 nga shtetasit e saj kishin vdekur “pasi pësuan goditje nga dielli për shkak të valës ekstreme të të nxehtit” dhe 17 të tjerë janë raportuar të zhdukur.

Gjysmëhëna e Kuqe iraniane konfirmoi se pesë pelegrinë iranianë kishin humbur jetën gjithashtu, por nuk specifikoi se si vdiqën.

Zyrtarët jordanezë thanë se kërkimet po vazhdonin për të zhdukurit.

Haxhi është një nga tubimet masive më të mëdha në botë. Më shumë se 1.8 milionë pelegrinë po marrin pjesë këtë vit, sipas zyrtarëve sauditë.

Por ajo ka një histori katastrofash vdekjeprurëse, duke përfshirë rrëmujë dhe zjarre çadrash. Por tashmë, sfida kryesore vjen nga nxehtësia e fortë.

Temperaturat tejkaluan 46C këtë javë, duke i bërë shumë nga ritualet që kryhen jashtë dhe në këmbë sfiduese veçanërisht për të moshuarit.

Vitin e kaluar, të paktën 240 njerëz vdiqën. Dhe në fatkeqësinë më të keqe të Haxhit, një përplasje vdekjeprurëse në 2015 vrau më shumë se 2 mijë njerëz./ BBC

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›