E Martë, 3 Nëntor 2026

Kryeministri izraelit denoncon pauzat taktike në Gaza

Kryeministri izraelit Benjamin Netanjah (Netanyahu) ka kritikuar planet e shpallura një ditë më parë (16 qershor) nga ushtria për të mbajtur pauza taktike ditore në luftimet përgjatë një prej rrugëve kryesore në Gaza për të lehtësuar dërgimin e ndihmave në enklavën palestineze.

Ushtria njoftoi se pushimet ditore do të nisnin nga dita e sotme në orën 05:00 GMT deri në orën 16:00 GMT në zonën nga Kalimi Kerem Shalom deri në rrugën Salah al-Din dhe më pas drejt veriut.

Por për kryeministrin Netanjah, pauzat ditore janë të papranueshme.

“Kur kryeministri dëgjoi raportet e një pauze humanitare 11-orëshe në mëngjes, ai iu drejtua sekretarit të tij ushtarak dhe ia bëri të qartë se kjo ishte e papranueshme për të”, tha një zyrtar izraelit.

Ushtria sqaroi se operacionet normale do të vazhdojnë në Rafah, fokusi kryesor i operacionit të saj në jug të Gazës, ku tetë ushtarë u vranë të shtunën (15 qershor).

Reagimi nga Netanjahu nënvizoi tensionet politike lidhur me çështjen e ndihmave që vijnë në Gaza, ku organizatat ndërkombëtare kanë paralajmëruar për një krizë humanitare në rritje.

Ministri i Sigurisë Kombëtare Itamar Ben-Gvir, i cili drejton një nga partitë fetare nacionaliste në koalicionin qeverisës të Netanjahut, denoncoi idenë e një pauze taktike, duke thënë se kushdo që e vendosi, ishte një “budalla” që duhet të humbiste punën.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›