I nxehti ekstrem, zjarret “pushtojnë” pyjet në Portugali, Spanjë dhe Francë

Më shumë se 20 vatra zjarresh në pyje janë regjistruar në Portugali dhe shumë të tjera po kërcënojnë fshatrat në Spanjën perëndimore dhe po pengojnë pushuesit, mes një vale të nxehti që sinoptikanët thonë se do t’i çojë temperaturat mbi 40 gradë Celsius.
Në Francë , rreth 800 zjarrfikës, me ndihmën e gjashtë avionëve, janë duke shuar dy zjarret në jugperëndim , për shkak të të cilave u evakuuan disa kampingje ku po pushonin mijëra turistë.
Në Algarve të Portugalisë , një provincë e njohur për turistët, autoritetet bllokuan hyrjen në resortin luksoz të Quinta do Lago dhe një fushë golfi për shkak të tymit të dendur që mbulonte zonën.
“Zjarri po hyn në një zonë urbane, me shumë bimësi të thatë. Ne jemi të shqetësuar dhe kjo është ajo që po i tregojmë botës”, tha Richard Marques, një punonjës i mbrojtjes civile.
Në zonën e Leiria, në veri të Lisbonës, ku termometri tregoi këtë të mërkurë 45 gradë Celsius, autoritetet bllokuan një autostradë qendrore.
Pothuajse 800 zjarrfikës janë përfshirë në betejën për shuarjen e dy zjarreve në zonën e Leiria.
Në të gjithë Portugalinë kontinentale, 2,124 zjarrfikës dhe 28 avionë janë mobilizuar për të shuar 24 zjarre në pyje. Pothuajse i gjithë vendi është vënë në alarm të kuq për shkak të të nxehtit ekstrem. Në Santarem dhe Leiria temperatura arriti në 45 gradë, sipas shërbimit të motit IPMA. Rekordi absolut për Portugalinë është 47.3 gradë Celsius i regjistruar në vitin 2003./ CNN.gr
/rtsh.al/