E Diel, 1 Nëntor 2026

I nxehti pjek rrushin më shpejt, fermerët e Gjirokastrës nisin vjeljen 15 ditë më herët

Temperaturat e larta kanë detyruar fermerët në qarkun e Gjirokastrës të nisin më herët vjeljen e vreshtarisë. Të nxehtit e pazakontë këtë periudhë ka përshpejtuar pjekjen e rrushit, duke bërë që fermerët të ndërhyjnë rreth dy javë përpara afatit të zakonshëm.

Petrit Brahimi, fermer prej më shumë se 25 vitesh, kultivon rreth 2 hektarë tokë me vreshta. Ai tregon se këtë vit është detyruar të nisë vjeljen rreth 15 ditë më herët për shkak të temperaturave të larta.

“Kemi filluar në mënyrë të sforcuar nga kushtet atmosferike. Është një periudhë, domethënë, gati 10 ditore, 15 ditore para afateve. Është një vit i jashtëzakonshëm. Këtë vit, domethënë, ndjehemi shumë, shumë të rrezikuar nga koha. Vajti muaj të tërë që s’po bie shi dhe bëhet pjekje e parakohshme, e detyruar dhe ne jemi detyruar ta heqim, s’kemi çfarë bëjmë”, tha fermeri.

Probleme kryesore mbeten fuqia punëtore, kushtet atmosferike dhe çmimi.

“Mund të kem nevojë gati edhe për 10 vetë me një mëngjes, se kam siguruar gjashtë që do zgjasë koha afati atje. Po edhe mundësia për të punuar vjen në orën 6 të mëngjesit, në orën 12 do ikin, se është e pamundur që të rrish në diell në këto temperatura”,  tha ai.

Temperaturat që kanë kaluar 38 gradë Celsius kanë përshpejtuar procesin e pjekjes së rrushit, duke bërë që fermerët të planifikojnë përfundimin e vjeljes deri më 15 shtator.

/rtsh.al/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›