E Hënë, 2 Nëntor 2026

I pandehur për tenderin 2.3 mln euro, kreu i KPP merret në pyetje nga SPAK

Kreu i pezulluar i Komisionit të Prokurimit Publik, Jonaid Myzyri, është paraqitur këtë të martë (29 korrik) në Prokurorinë e Posaçme pasi është kërkuar të ripyetet në lidhje me akuzat që rëndojnë ndaj tij.

 Ai ka qëndruar ambientet e Prokurorisë së Posaçme përreth dy orë, ku është marrë në pyetje nga prokurori Elvin Gogaj.

Një ditë më parë, SPAK i komunikoi Myzyrit akuzën për shpërdorim detyre dhe shkelje të barazisë në tendera lidhur me tenderin 2.29 milionë euro për mirëmbajtjen e aksit rrugor Shpal-Ura e Repsit.

Sipas SPAK, bëhet fjalë për procedurën e prokurimit për mirëmbajtjen e aksit rrugor Shpal-Ura e Repsit, me fond limit 219.866.693 lekë pa tvsh, zhvilluar më datë 18.9.2020, me autoritet kontraktor Autoriteti Rrugor Shqiptar.

Sipas Prokurorisë së Posaçme, procedura ka pasur paligjshmëri, të cilat Komisioni i Prokurorimit Publik nuk i ka marrë në konsideratë, duke favorizuar  bashkimin e operatorëve ekonomik, ku pas veprimeve hetimore ka rezultuar se kanë paraqitur dokumente të falsifikuara.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›