I paraburgosuri Altin Ndoci u arratis nga Spitali i Durrësit, ishte për vizita mjekësore

TIRANË, 13 janar/ATSH/ Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve njofton se i paraburgosuri Altin Ndoci është larguar nga ambientet e Spitalit Rajonal të Durrësit, ku ishte shoqëruar për kryerjen e vizitave mjekësore.
Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, të gjitha procedurat mjekësore janë zhvilluar në repartin e infektivit, i cili ka repartin e sigurisë për të dënuarit.
Në njoftim, cilësohet se pavarësisht ndërhyrjes së menjëhershme nga forcat e Policisë së Burgjeve për ndalimin e tij, Altin Ndoci ka arritur të largohet nga spitali.
Drejtoria e Burgjeve thekson se strukturat përkatëse janë vënë menjëherë në lëvizje dhe po punohet intensivisht për lokalizimin dhe kapjen e tij, si dhe për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.
/e.i/j.p/