E Shtunë, 31 Tetor 2026

I pari dhe më i miri

Studiuesja e artit, Eleni Laperi, analizon një stereotip të zmadhuar dhe të shumëfishuar nga mediat.


Pretendimi "i pari" dhe "i vetmi" për produktet kulturore dhe aktivitetet për to, janë imponuar si një realitet që anashkalon vlerat reale dhe standardet profesionale


Kur gazetari austriak, Joseph Roth, vizitoi Shqipërinë në vitin 1927, gjëja që i bëri përshtypje në lidhje me karakterin e shqiptarëve u përshkrua në artikullin e tij si ambicia më e madhe e shqiptarit është të bëhet kryetar bashkie e nëse nuk ia arrin, të rrëzojë kryetarin në pushtet.


Kanë kaluar mbi 80 vjet nga vizita e Roth-it në Shqipëri, po kur lexon artikujt e tij për Shqipërinë, të duket sikur i ka shkruar sot.


Sepse ende ambicia më e madhe e jona mbetet "të jemi të parët", "të jemi të vetmit" dhe jo "të jemi më të mirët"! Dëgjojmë shpesh libri i parë mbi..., emisioni i parë për..., vendi i parë me Kryeministrin më të ri..., i pari institucion që organizon rregullisht aktivitete, seminare, workshop-e mbi artin bashkëkohor(?!)...e kështu me radhë një sërë "të parësh".


Në bazë të këtyre të dhënave ne duhej të ishim "vendi i parë" në shumë drejtime, po mbetemi ende midis vendeve të fundit, sepse na mundon mania për të qenë "i pari".
E trishtueshme është se kjo mani i ka kapluar edhe të rinjtë.


Para disa kohësh doli në qarkullim monografia "Sadik Kaceli", kushtuar piktorit shqiptar të shekullit të 20-të nga autorja Eli Xoxa. Libri, i ilustruar me fotografi të veprave e jetës së piktorit Kaceli. Është një libër i artit shqiptar i niveleve të larta.


Po as autorja Eli Xoxa, as ndokush tjetër nuk e cilësoi si librin e parë të artit shqiptar të një niveli ndërkombëtar. Ndërsa unë po e quaj të tillë, jo për t'i shtuar librit vlera, po për të ngritur problemin e cilësisë në veprimtaritë për krijimtarinë që bëhen tek ne.


Eli Xoxa, e diplomuar për skulpturë nga Instituti i Arteve në Tiranë (sot Akademia e Arteve) ka nxjerrë nga duart një libër me vlera të vërteta, i cili duhet të jetë shembull për autorët që do duan të ndërmarrin nismën për të përgatitur libra e katalogë për artistët tanë të arteve pamore.


I pajisur me informacion të plotë e të saktë mbi jetën e veprimtarinë e piktorit Sadik Kaceli, i shkruar me një gjuhë të thjeshtë e të pastër, i ilustruar pasurisht e me kujdes, libri është fryt i një pune të gjatë, të përkushtuar e profesionale me gjithë kuptimin e fjalës.


Autorja merr përsipër të shkruajë për një temë, të cilën e njeh prej vitesh, shkruan vetëm për fakte që i ka marrë drejtpërdrejt nga piktori, familja e tij apo dokumente të shkruara, i përmbahet një fushe që e zotëron.


Ajo nuk merr përsipër të bëjë "kritikë arti", sepse nuk e ka një formim të tillë, dhe na kursen trishtimin që shumë të tjerë nuk mungojnë të na e japin me doza të mëdha. Autorja Eli Xoxa na jep shembullin e mirë të një teksti të shkruar qartë e thjesht, sepse shkruan për gjëra që i ka menduar gjatë dhe i rendit harmonikisht. Prandaj edhe lexuesi merr informacion të saktë dhe të dobishëm.


Gjuha e përdorur në libër nuk është me fraza të ngatërruara, si shpesh i gjejmë sot nëpër libra e artikuj, fraza që mundohen të mbulojnë injorancën e autorëve. Gjuha e përdorur në libër, edhe pse shtjellon një temë të një fushe specifike, si artet pamore, është një shqipe e saktë, që përcjell një tekst që lexohet me kënaqësi nga të gjithë: që nga lexuesi i zakonshmi e deri te një gjuhëtar.


Teksti nuk të shkakton atë ndjesi lodhjeje që të japin sot shumë libra, përkthime apo artikuj, të cilët detyrohesh t'i korrigjosh me mendje gjatë leximit. Një gjë mjaft e rëndësishme e këtij libri është se më në fund, një autor i arteve pamore shqiptare ka një botim dinjitoz, fryt vetëm i një pune të gjatë e të menduar mirë.


Ky libër vjen në një boshllëk të madh që ekziston në mendimin bashkëkohor shqiptar. Jo se nuk janë financuar botime në këtë fushë, madje edhe nga fondet publike të ministrive, si Ministria e Kulturës apo ndonjë tjetër, por po t'i analizojmë ato botime, sheh se për shumicën e tyre fondet janë dhënë sepse aplikuesi ishte mik i këtij ministri apo i asaj zëvendësministreje, e jo se përcjellin vlera për publikun, që në fakt paguan për to.


Po pse pas njëzetë vitesh në demokraci (ose të paktën kështu na pëlqen ta quajmë), ngutemi në garën "për të qenë të parët" dhe nuk përpiqemi edhe pak, nuk presim edhe pak para se t'u ofrojmë të tjerëve informacione, libra apo aktivitete me ambicien për të qenë "më të mirët"?


A mos ndoshta kjo ka të bëjë me faktin se nuk ka vlerë përpjekja për të arritur nivelet ndërkombëtare, për sa kohë mund të nxjerrësh të ardhura nga etja e njerëzve për të shprehur vetëkënaqësinë?


Është e trishtueshme kur në grackën e përfitimit edhe pse shkelin mbi etikën e profesionalizmit, bien njerëz të zot në profesionet e tyre. Me lëshimet që ata u bëjnë mediokriteteve në këmbim të një pagese, i sjellin një dëm të madh gjithë sistemit të vlerave.


Është e natyrshme që gjithkush është i lirë të botojë, të ekspozojë, të organizojë koncerte, kur është në gjendje të financojë vetë këta produkte. Po nuk është e moralshme kur specialistët "u japin" tituj e grada shkencore, mbështesin publikisht krijime të dobëta, duke ua rekomanduar publikut si vlera të mirëfillta.


Reklama që një gjuhëtar dhe përkthyes i shkëlqyer i bëri një libri limonadë të një gazetareje, më bëri të shpenzoj për të blerë atë libër pa vlera; profesori im i pikturës, artisti Vilson Kilica, më tha një ditë se ndërronte kanalin në TV kur niste një program mbi artet pamore, për shkak të nivelit jashtëzakonisht të ulët të drejtuesit të emisionit; televizionet kthejnë në "ikona shqiptare" personazhe vulgarë; në një sërë emisionesh apo bisedash televizive mbi problemet sociale, politike apo kulturore, mediat i ofrojnë publikut opinionet e vetëm tre-katër personave, të cilët më kujtojnë refugjatët shqiptarë të viteve '90, që kur kërkonin punë nëpër Evropë deklaronin se dinin të bënin gjithçka.


Janë po ata që kritikojnë gjithkënd në emër të etikës e moralit, ndërkohë vetë shkelin etikën profesionale dhe moralin me të dy këmbët, për hir të pagesave të ëmbla që u ofrohen.


Dikush mund të buzëqeshë, pasi shprehja "e moralshme" është mjaft relative dhe varet nga cili qëndrim shihet. Çmimi i "moralit" sot ka rënë shumë, për të mos thënë që "morali" ka falimentuar në "bursën shqiptare të vlerave".


Megjithatë, sido që të ndryshojnë sistemet e vlerave, sado të ndryshojë qëndrimi ndaj moralit, është një sistem i cili mbetet gjithnjë i pandryshuar: profesionalizmi. Një profesionist i vërtetë e respekton punën e tij në atë nivel, sa nuk mund t'i lejojë vetes të anashkalojë përkryerjen.


Kur nga pozita e specialistit i ofrohen publikut vepra pa vlerë, kur merret përsipër të jepen mendime për fusha që nuk i njohin, kur u jepen "tituj" personave që nuk i meritojnë ende, kur promovohen mediokritete shtyrë vetëm nga fitimi, ne pushojmë së qeni profesionistë. Tani është domosdoshmëri të nisim të mendojmë për të konkurruar me "më të mirët" dhe jo të jemi akoma në garë me më të fundit për të qenë "të parët".


Historia e ndërtimeve hidraulike në Shqipëri


"Ndërtimet e hershme hidraulike shqiptare" titullohet monografia që studiuesi Valter Shtylla, prezanton sot në orën 11:00 në Institutin e Monumenteve të Kulturës.


Në këtë libër ai merret me ndërtimet ujore në territoret shqiptare që datojnë nga koha e antikitetit e deri në ditët e sotme. Shtylla e nis studimin me përshkrimin e Nymfeut të Apolonisë, i cili është edhe ndërtimi ujor më i hershëm në vendin tonë.


Më tej ai merr në shqyrtim krojet, puset, sterat e ujit, ujësjellësit, banjat, digat për bonifikimin e tokave mullinjtë me ujë, sharrat e ujit, hidrocentralet, shatërvanët, depot e kripës dhe kanalet. Në një kapitull të veçantë, Shtylla trajton edhe objektet e restauruara së fundmi, të cilat janë kryesisht hamame (banja publike).


Në monografi trajtohen kryesisht objekte, të cilat janë porositur nga prijësit vendorë, veçanërisht në periudhën e pashallëqeve të mëdha shqiptare. Sipas Shtyllës, këto ndërtime ujore janë realizuar nga mjeshtrit vendas apo profesionistë shëtitës. Ku thjeshtësinë dhe sensin praktik të modelimit të tyre ai e konsideron si shprehje të kulturës popullore.

------------------------------------------

Javë e filmit holandez, nga sot tek Marubi


Kinemja Holandeze do të jetë gjatë gjithë kësaj jave e pranishme në kryeqytet nëpërmjet festivali të filmit "Dritë mbi kinemanë e vendeve të ulëta". Duke nisur nga sonte, çdo mbrëmje, në orën 19:00 në Akademinë e Filmit dhe të Multimedias "Marubi" do të shfaqen dy filma, një me metrazh të shkurtër dhe një film i gjatë artistik.


Filmi i parë që projektohet sonte është "Nusja polake", i regjisorit Karim Traidia. Pas tij shfaqet filmi i shkurtër "Ditari" i Evelien Lohbeck-ut.


Çdo film do të prezantohet nga regjisorja dhe përzgjedhësja e filmave, Rada Sesic, e cila do të japë edhe një informacion të detajuar për secilin prej tyre.
"Dritë mbi kinemanë e vendeve të ulëta" është një projekt i "Stichting Cultural Aid" dhe "Holland Film", i cili ka për qëllim prezantimin e kinemasë holandeze. Pas Shqipërisë, festivali do të udhëtojë drejt Serbisë.


 

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›