Pasuria e ish-deputetit Flori Bajramaj
TIRANË- Ish- deputeti i PD-së, Flori Bajramaj, i arrestuar dy ditë më parë rezulton të jetë zyrtarisht pronari i një sërë tokash, apartamentesh dhe makinash.
Në deklarimin e tij zyrtar të pasurisë janë shënuar një nga një të gjitha pronat e përfituara ndër vite. Këto janë pronat e shënuara nga vetë ish-deputeti, ndërkohë që prokuroria është duke hetuar në lidhje me pasuri të tjera të njeriut të akuzuar për shpërdorim detyre.
Në deklarimin e parë të pasurisë, bërë në vitin 2005, Bajramaj ka shënuar se është pronari i dy shtëpive, i një sipërfaqeje të konsiderueshme toke të përfituara nga ligji 7501 dhe dy autoveturave.
Ai është pronari i një shtëpie trekatëshe me sipërfaqe rreth 280 metër katror, e ndërtuar mbi një truall me një sipërfaqe prej dy dynymësh. Toka në fjalë, sipas deputetit Bajramaj, është përfituar nga shpërndarja që u bë në fillim të viteve 90-të më anë të ligjit 7501.
Për sa i përket shtëpisë së banimit prej tre katesh, Bajramaj deklaron se ndërtimi i saj është bërë i mundur me anë të kursimeve të të vëllait, të përfituara nga emigracioni. Sipas deklarimit, ndërtimi i saj në vitin 2003 është bërë i mundur me investimin e 5 milionë lekëve
Krahas ndërtesës trekatëshe në fshatin ShënVlash, deputeti Flori Bajramaj rezulton të jetë pronar edhe i një apartamenti banimi me sipërfaqe 85 metër katror në lagjen nr. 1 të qytetit të Durrësit. Sipas të dhënave, ky apartament është blerë në vitin 2004 kundrejt një shume prej 45 mijë dollarësh me kursin e atëhershëm.
Krahas shtëpisë trekatëshe të banimit, apartamentit në Durrës dhe dy parcelave tokë që me sipërfaqe totale 24 dynym, sipas deklarimit të bërë nga vetë ai në vitin 2005 pranë Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, Deputeti Bajramaj rezulton të jetë pronar edhe i dy veturave.
Makina e parë është e tipit "Mercedes Benz", me vlerë të deklaruar 850 mijë lekë, ndërsa autovetura e dytë është e markës "BMË" me vlerë 12 mijë euro. Për sa i përket autoveturës së dytë, katër vjet deputeti i Partisë Demokratike për Durrësin deklaron se është e të vëllait por për shkak se ky i fundit ndodhet në emigracion dhe e ka regjistruar makinën në emrin e tij.
Gjatë vitit 2005, deputeti Bajramaj ka ushtruar detyrën si jurist në Komunën Rrazhbull të Durrësit, punë nga e cila deklaron se në total ka përfituar 481 mijë lekë. Po ashtu, sipas fletë-deklarimit në emër të tij, rezulton të jetë edhe një shumë prej 22 mijë dollarësh, për të cilat Bajramaj thekson se i ka përfituar nga emigracioni gjatë viteve 1998-2000.
Viti 2006
Sipas deklarimit të bërë pranë Inspektoratit të Lartë të deklarimit të Pasurive, gjatë vitit 2006, deputeti Flori Bajramaj nuk ka kryer asnjë veprim financiar, si investime, marrje kredie, të ardhura nga pasuritë e tjera, shitje apo blerje, etj,. përveç të ardhurave të përfituara nga rroga e tij si deputet i Kuvendit të Shqipërisë. Sipas deklarimit të bërë, gjatë vitit 2006, nga pozicioni i tij si deputet Bajramaj ka përfituar në formën e pagës rreth 680 mijë lekë.
Viti 2007
Edhe gjatë vitit 2007, Flori Bajramaj nuk ka pasur asnjë të ardhur shtesë përveç pagës së tij dhe të bashkëshortes. Në deklarimin e bërë pranë ILDKP-së, deputeti i PD-së gjatë legjislaturës 2005-2009, ka patur në banesën e tij në gjendje CASH, një shumë parash prej 800 mijë lekësh, ndërsa 500 mijë lekë të tjera i ka pasur të depozituara në një bankë tregtare.
Gjatë vitit 2007, nga paga e tij dhe shpërblimet si deputet i Kuvendit të Shqipërisë, në total ai ka përfituar rreth 1.6 milionë lekë. Këtë vit Barjamaj është treguar i kursyer pasi sipas deklarimit rezulton së nuk është bërë asnjë shpenzim për ndonjë blerje apo investim.
Viti 2008
Veprimtaria financiare e deputetit Flori Bajramaj gjatë vitit 2008 përmblidhet në një kredi të marrë pranë një bankë të nivelit të dytë në vend, blerja e një makine, shlyerja e këstit të parë të kredisë, paga e tij dhe paga e bashkëshortes.
Ai ka marrë një kredi prej 15 mijë eurosh nga një banke tregtare në vend, para më të cilat ka bërë të mundur blerjen e një autoveture tip Benz Mercedes kundrejt së njëjtës vlerë. Gjatë këtij viti, ai ka paguar 1800 euro për shlyerjen e kësteve të kredisë . Nga shlyerja e plotë e saj kanë mbetur edhe 13.800 euro plus interesat që aplikon banka.
Viti 2009
Gjatë këtij viti Bajramaj, krahas të ardhurave nga paga e tij dhe e bashkëshortes, ka arkëtuar në llogarinë tij edhe para nga shitja e makinës tip BMË që kishte deklaruar në vitin 2005 se ishte ne pronësi të vëllait të tij.
Nga shitja e saj, ai ka përfituar 2000 euro. Duke parë gjendjen e llogarisë rrjedhëse në të cilën i hidhet edhe paga si deputet i Kuvendit të Shqipërisë, rezulton se në të nuk ka asnjë lek.
Po ashtu edhe një llogari në emër të bashkëshortes së tij rezulton të mos ketë asnjë lek, çka tregon se me një pjesë nga të ardhurat nga paga e tyre bashkëshortët kanë shlyer këstet e kredisë prej 15 mijë eurosh të marrë në vitin 2008 për blerjen e një makine tip "Mercedes Benz".
Sipas deklarimit më të fundit, gjatë këtij viti gjendja e kredisë së pashlyer është zbritur edhe me rreth 3800 euro. Kështu, pa llogaritur edhe interesat e bankës, deputetit Bajramaj i duhet të paguajë edhe rreth 10 mijë euro për shlyerjen e plotë të kredisë.
Sipas deklarimit të bërë, shumës prej 2.000 euro të përfituar nga shitja e makinës tip BMË, deputeti Bajramaj i ka shtuar edhe rreth 2.500 euro të tjera, kursime nga pagat e tij dhe e bashkëshortes duke mbledhur rreth 500 mijë lekë KASH që i mbante në shtëpi.
Nga paga e tij si deputet gjatë vitit 2009, Flori Bajramaj ka përfituar rreth 1.6 milionë lekë. Për sa i përket bashkëshortes së tij, nga paga e saj në total ajo ka përfituar rreth 380 mijë lekë.
2005
-shtëpi banimi trekatëshe në Shën Vlash
-Apartament 85 metër katror në Durrës
-Dy dynym truall në Shën Vlash
-22 dynym tokë në Shën Vlash
-Dy vetura
2006
-680 mijë lekë nga rroga si deputet
2007
-800 mijë lekë KASH
-500 mijë lekë në llogari bankare (kursime nga paga)
-1.6 milionë lekë në total nga paga
-240 mijë lekë të ardhura nga paga bashkëshortes
2008
-15 mijë euro kredi
-Makinë tip Mercedes Benz (blerë me kredinë e marrë)
-1800 euro ka shlyer këstin e kredisë
-13200 euro gjendja e mbetur e kredisë
2009
-2000 euro nga shitja e makinës tip BMË
-3800 euro shlyen këstin e kredisë së marrë në 2008-ën
-rreth 10 mijë euro shuma e mbetur deri në shlyerjen totale të kredisë
-1.6 milionë lekë nga paga si deputet (një pjesë janë përdorur për shlyerjen e kredisë)
-380 mijë lekë nga paga e bashkëshortes