E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha i shtrin Ramës dorën e bashkëpunimit

Qeveria ka zhvilluar dje mbledhjen e saj të parë. Ministrat pajisen me lap-top, Mediu nuk gjeti vend në tavolinë


Kryeministri ka kërkuar ndihmën e opozitës për të ndryshuar Kushtetutën dhe për t'i zhvilluar mbledhjet e qeverisë të hapura


Qeveria e re "Berisha 2" nuk ka humbur kohë, por fill pas betimit si një akt që formalizon ligjshmërinë e ministrave të saj, ajo ka nisur menjëherë punën. Sapo ka dalë nga Presidenca, ku dhe kreu betimin së bashku me ministrat e tij, para kreut të shtetit dhe gjithë drejtuesve të institucioneve Kushtetuese, Kryeministri Sali Berisha, në vijim edhe të praktikës së 2005-ës, ka thirrur me një herë mbledhjen e qeverisë së tij të re.


Pavarësisht se kjo mbledhje ishte më shumë simbolike, për të përcjellë tek opinioni publik mesazhin se qeveria e re nisi nga puna, ajo i ka shërbyer kreu të saj Sali Berisha, si një mundësi për të bërë disa deklarata lidhur me objektivat e mazhorancës së tij të re.


Mbledhja


Mbledhja e parë e "Qeverisë së Integrimit" ka rezervuar jo pak surpriza, qoftë për mënyrën e organizimit të saj, ashtu edhe për mesazhet e përcjella nga Kryeministri Sali Berisha. Kështu, që në fillim ajo ka nisur me një incident, pasi ministri i ri i Mjedisit Fatmir Mediu, nuk ka gjetur vendin e vet në tavolinën ovale të Këshillit të Ministrave.


Një harresë kjo nga ana e organizatorëve të mbledhjeve të qeverisë që ka shkaktuar jo pak nervozizëm tek Mediu, i cili është përpjekur vetë më pas që të gjejë një karrige dhe një vend për t'u ulur në tavolinë.


Një tjetër element që ra në sy në mbledhjen e djeshme ishin pikërisht kompjuterët lap-top, me të cilët ishin pajisur të gjithë ministrat, përfshi këtu dhe vetë Kryeministrin, të cilët do të zëvendësojnë dosjet e projektligjeve.


Kështu, tashmë në mbledhjet e qeverisë, ministrat nuk do të pajisen më me projektligje në formën e tyre klasike, pra në letër, por ato do t'u shërbehen atyre nëpërmjet rrjetit kompjuterik që është vendosur në sallë.


Duke folur lidhur me këtë risi, Kryeministri Sali Berisha është shprehur se me anë të këtij sistemi synohet t'i jepet shpejtësi dhe transparencë veprimtarisë së kabinetit qeveritar. "Mbledhja e parë fillon me E-kabinet, çka do të thotë shpejtësi digjitale për këtë kabinet.


E-government, do të thotë gjithçka në rrezen e diellit, gjithçka transparente në të gjitha zyrat, agjencitë dhe kabinetet tona. Nuk ka dhe nuk mund të ketë asgjë më të shëndetshme se një administratë në rreze të diellit. E-govermment do të thotë reforma të thella e të mëdha, të cilat në katër vjet do të formësojnë një Shqipëri tjetër", - tha Berisha në fjalën e tij.


Berisha


Ndryshimi i Kushtetutës për të bërë të mundur zhvillimin e mbledhjeve të qeverisë me dyer të hapura për median, ka qenë premtimi i parë që ka bërë Kryeministri Sali Berisha në mbledhjen e parë të qeverisë së tij të re, për realizimin e të cilit ka kërkuar edhe ndihmën e opozitës, votat e së cilës janë deçizive për të kryer këtë operacion të ri në ligjin themeltar të shtetit.


"Gradualisht, duke gjetur një interpretim të Kushtetutës, do të doja që mbledhjet e këtij kabineti të jenë transparente për publikun, i cili të adresojë, gjatë mbledhjes, pyetje dhe çështje për ato që diskutohen këtu. Ky është një nga qëllimet e E-kabinetit.


Për momentin kemi një pengesë Kushtetuese, e cila thotë se mbledhjet janë të mbyllura, por, nëse do të isha unë në opozitë, votën e parë që do t'i jepja qeverisë për të ndryshuar Kushtetutën do të ishte për të imponuar zhvillimin e mbledhjes hapur.


Shpresoj që opozita kur të kthehet në Parlament, ta konsiderojë seriozisht këtë", - tha Kryeministri, duke ftuar njëkohësisht të gjithë ministrat e tij që në kuadër të transparencës me publikun, të ndiqnin shembullin e tij dhe të publikonin numrat e tyre celularë, ku qytetarët të mund të adresonin problemet e tyre.


Më tej ai i ka përcjellë dhe një thirrje opozitës, duke kërkuar prej saj që të kthehet në Parlament për të bashkëpunuar në emër të integrimit të vendit në BE. "Shpresoj që të gjitha thirrjet, vlerësimet që iu bënë këtyre zgjedhjeve, të cilat, në fund të fundit, janë interesi më i mirë dhe më jetik i çdo shqiptari, të lexohen dhe të rilexohen nga anëtarët e opozitës, nga zoti Rama dhe ata të kthehen dhe të vazhdojnë bashkëpunimin në Parlament për reformat e mëdha", - theksoi Berisha.


Në këtë kuadër, ai i ka kthyer edhe një përgjigje asaj se do të ishte i gatshëm që të plotësonte çdo kërkesë të saj nëse një gjë e tillë nuk do të binte në kundërshtim me ligjet.


"Është rasti t'i bëj edhe një herë thirrje opozitës të zërë vendet në Parlament. Në kuadrin e shtetit ligjor, ligjeve të vendit, ne, absolutisht, jemi të gatshëm të pranojmë çdo kërkesë të opozitës për çdo problem që ajo ta gjykojë se është në interesin e saj dhe të vendit, por kërkesa që bien ndesh me ligjet, që bien ndesh me parimet themelore të ndarjes së pushteteve, nuk duhet të mendohen as nga pozita, as edhe nga opozita", - tha Berisha.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›