I penduari: Di shumë vrasje në Fier, nëse tregoj 40 veta futen në burg
Një i dënuar me 16 vjet heqje lirie pranon se ka vrarë dhe trafikuar drogë, ndërsa pohon se denoncimet që ka bërë në shtet për autorët e disa vrasjeve nuk merren seriozisht. Quhet Ilirjan Sallku dhe është “penduar” për krimet që ka bërë, madje ka bashkëpunuar me policinë për të zbardhur disa vrasje të vjetra në qytetin e lindjes, Fier. Dje ka marrë pjesë në procesin në Gjykatën e Tiranës, ku po gjykohet për mashtrim, pasi ka përmendur emrin e gjyqtarëve që u ka dhënë ryshfet disa kohë më parë. Një gjyqtare e ka paditur për mashtrim, ndërsa prokuroria ka kopsitur dosjen dhe e ka dërguar në gjykatë për të njëjtën vepër penale.
Në seancën e djeshme, Sallku ka mohuar në mënyrë kategorike të jetë mashtrues. “Nuk jam mashtrues, por vrasës. Nëse është krim të ndihmosh shtetin të zbardhë vrasjet atëherë më dënoni, por ju siguroj se nuk jam mashtrues”, tha Sallku, duke shtuar se ka shumë gjëra për të thënë për ngjarjet kriminale të Fierit. “Nëse unë hap gojë, atëherë futen në burg 40 persona”, vazhdoi ai, duke refuzuar avokaten e caktuar nga gjykata. Gjyqtari i çështjes Altin Avdiu i bëri me dije të pandehurit se mund të kërkojë gjykim të shkurtuar, pasi këto çështje janë kundërvajtje penale, ndërsa Sallku pretendoi se nuk ka mashtruar asnjë njeri dhe të gjitha ato çka denoncuar dhe publikuar janë të vërteta për përfshirjen e gjyqtarëve të Fierit në korrupsion. Ndërkohë prokurori i çështjes, Besnik Cengu, vijoi paraqitjen e provave, teksa përmendi se duhen marrë procesverbalet e disa seancave gjyqësore në Fier me të pandehur Ilirjan Sallkun.
Pas paraqitjes së provave nga prokurori, gjyqtari i dha fjalën Sallkut për provat. “Provat e mia i ka prokuroria, madje të shkruara. Kam denoncuar se gjyqtarët kanë marrë prej meje 40 milionë lireta. Si ka mundësi që kjo gjyqtare që ka marrë ryshfetin të më gjykojë mua për një çështje dhe të më thotë ‘pendohu’. I kam thënë se para teje nuk pendohem, pasi ke marrë ryshfet prej meje.
Prokuroria duhet të marrë kasetat që ndodhen në sallën e gjyqit. Besoj se shteti e fsheh këtë kasetë ku është regjistruar edhe biseda ime me gjyqtaren. Unë ndodhem në burg pa asnjë fakt. S’jam mashtrues, por vrasës. Para shtetit duhet të jemi të gjithë të barabartë, si unë edhe gjyqtarët që kanë marrë ryshfet”, deklaroi Sallku. I pyetur nga gjyqtari nëse këto prova janë të shkruara, ai u përgjigj se të gjithat të dhënat i kanë Tonin Voci edhe Agron Kuliçaj. Ndërkohë, seanca gjyqësore u shty me kërkesë të prokurorit Besnik Cengu për të dëshmuar kallëzuesja, gjyqtarja Adelina Z. dhe avokati Luan Xh.
Ilirjan Sallku ka treguar se arrestimet dhe burgosjet e shpeshta, e kanë bërë që të njohë e të bëhej pjesë e organizatave kriminale të Fierit. Krimet dhe trafiqet e këtyre i kalojnë kufijtë e vendit, ndërsa sipas Sallkut, vazhdojnë aktivitetin brenda dhe jashtë Shqipërisë. Një pjesë e eksponentëve kriminalë që ai përmend, ndodhen në qeli, të arrestuar nga policia, dhe prangosja e tyre vjen fill pas dëshmive të Sallkut. Ai është dënuar me 16 vjet e 6 muaj burg për krimin e vrasjes. Vetë jeta e tij është hedhur në rreshtat e një fletoreje, që e quan “Ditar i krimeve që unë di”. Ai e ka nisur aktivitetin me vjedhje të vogla, ka vijuar me grabitje, vrasje, korruptim të prokurorëve e gjyqtarëve, trafik e shitje armësh dhe lëndësh narkotike. “Mua personalisht, më 14 qershor të vitit 1999 më dhanë pafajësinë, pasi pagova miliona lireta për gjyqtarë e prokurorë dhe disa të tjerë miliona ia dhashë avokatit tim”, tregon Sallku.
#