Ndryshon ligji, hapet gara për kreun e SHISH

Ndryshimi i dytë i draftit për Shërbimin Informativ Shtetëror hap garën për zgjedhjen e drejtorit të ri të SHISH-it, i cili duhet të zgjidhet sipas të gjitha gjasave brenda muajit qershor. Pas tri orë diskutimesh, Komisioni i Ligjeve bashkë me kreun e shërbimit sekret, Bahri Shaqiri, kanë rënë dakord për nisjen e tranzicionit në këtë institucion, i cili është përcaktuar qartë në dispozitën kalimtare të projektligjit. Neni 10 i projektligjit për “Disa ndryshime në ligjin nr. 9391. datë 28.10.1998 ‘Për Shërbimin Informativ të Shtetit, i Ndryshuar’”, theksohet: “Në zbatim të nenit 5/1 të këtij ligji, drejtori dhe zëvendësdrejtori i Shërbimit Informativ të Shtetit emërohen në detyrë brenda 60 ditëve nga hyrja në fuqi e këtij ligji. Në ndryshim nga neni 5/1 i këtij ligji, zëvendësdrejtori i Shërbimit Informativ të Shtetit herën e parë ka një mandat 3-vjeçar”. Duke bërë një konkretizim të datave, nëse ky ligj miratohet në seancën e 18 marsit dhe dekretohet nga Presidenti i Republikës sa më shpejt, do të duhet të hyjë në fuqi në javën e dytë të muajit prill. Pas kësaj date, deri më mesin e qershorit, kreu i shtetit, Bamir Topi, do të duhet të emërojë kreun e ri të shërbimit sekret shqiptar me propozimin e Kryeministrit Sali Berisha. Nëse ky do të jetë sërish Bahri Shaqiri është herët për t’u thënë, pasi deri atëherë ka kohë që mund të sjellin zhvillime në këtë aspekt. Dje Komisioni i Ligjeve ka miratuar mendimin e draftit të qeverisë për SHISH-in, i cili në thelb nuk e prek variantin e miratuar nga kabineti, por vetëm përcakton në mënyrë të qartë kompetencat e shërbimit sekret dhe në mënyrë të qartë vendoset ajo që nga kritikët e draftit është folur deri tani: rotacioni në SHISH merr edhe formë ligjore. Mbledhja e djeshme është zhvilluar për tri orë me dyer të mbyllura pa praninë e deputetëve të opozitës. Në fillim të takimit, kreu i SHISH, Bahri Shaqiri, i cili ka qenë i shoqëruar nga shefi i kabinetit të Kryeministrit, Oerd Bylykbashi, ka renditur pikat ku drafti duhet të ndryshohet natyrisht pa prekur thelbin. Shaqiri bëri të ditur se për këto ndryshime është arritur konsensusi me Kryeministrin Berisha. Duke folur para anëtarëve të Komisionit të Ligjeve, kreu i SHISH, theksoi se janë tetë pika të rëndësishme në propozimet e shërbimit për ndryshimin e ligjit, ku më të rëndësishmet kanë të bëjnë me fushat e veprimtarinë e tij brenda dhe jashtë vendit. Ato janë të pasqyruara në draftin e ri, pikërisht në nenin 3 të tij, ku theksohet se SHISH mbledh informacion dhe kryen veprimtari zbulimi për aktivitetet që zhvillohen jashtë vendit, në funksion të sigurimit kombëtar, mbledh informacion dhe kryen veprimtari kundërzbulimi brenda vendit për ruajtjen e integritetit, të pavarësisë e të rendit kushtetues, mbledh informacion për terrorizmin, për individë, grupe apo organizata që mbështesin e financojnë atë, mbledh informacion për prodhimin, trafikimin e armëve, e lëndëve narkotike, trafikimin e qenieve njerëzore, si dhe krimeve kundër mjedisit, mbron sigurinë e veprimtarisë së vet, të informacionit, të punonjësve, të aseteve dhe të teknikës me mjete të përshtatshme, duke përfshirë verifikimin e kualifikimin e kandidatëve, të të punësuarve e të kontraktuesve, kryen certifikimin e personave (Vetting), sipas përcaktimeve përkatëse ligjore, kryen veprimtari mbështetëse tekniko-administrative, sipas nevojave, për realizimin e funksioneve të mësipërme. Në draftin e ri zgjidhet përfundimisht dhe çështja e emrit të shërbimit sekret shqiptar. Në nenin 8 theksohet se në përmbajtjen e ligjit bëhen zëvendësimet si vijon: fjalët “Shërbimi Informativ Kombëtar” zëvendësohen me fjalët “Shërbimi Informativ i Shtetit”, fjala “SHIK” zëvendësohet me fjalën “SHISH”.
#