E Shtunë, 31 Tetor 2026

Jetime me prind...

Personazh, historia e 20-vjeçares, e cila vuante vdekjen e së ëmës, dhunën e të atit, sëmundjen e vëllait

Kjo është historia e një vajze 20-vjeçare, e cila sot vazhdon studimet e larta në degën e Infermierisë.

është kjo një nga arsyet pse për shumicën e njerëzve që e njohin, e quajnë një sukses dhe një vajzë me fat edhe pas shumë peripecish të lëna pas, që asnjë fëmijë në botë nuk i meriton t’i ndodhin, qoftë edhe në ëndërr...

Historia dje...

Dhjetë vjet më parë në një nga zonat rurale të Peqinit, jetonte një familje. Dy prindërit kishin mosmarrëveshje mes tyre dhe marrëdhënia e tyre në çift shpesh degradonte në dhunë sistematike. Ndërkohë që edhe fëmijët, Esmeralda, motrat dhe vëllai i saj ishin viktima të dhunës edhe pse në moshë minore.

“Babai i tyre i keqtrajtonte, ushtronte dhunë, ndërkohë që pas vdekjes së nënës situata u rëndua edhe më tej. Fëmijët nuk shkonin në shkollë rregullisht dhe shpesh banorët i shihnin duke u endur rrugëve të fshatit. Të dhënat e para i morëm nga policia e cila i solli tre fëmijët te ne”, thotë Skerdi, koordinatori i shoqatës “Tjetër Vizion”. Sipas tij, të tre fëmijët u morën në kujdestarinë e qendrës dhe integrimi i tyre në një jetë normale, ka qenë tepër i vështirë, kjo për shkak të kompleksitetit të problematikave që paraqiste.

Esmeralda dhe motra kishte vakume në mësime, ndërkohë që vëllait të saj i nevojitej ndihmë e specializuar, për shkak se vuante nga një sëmundje neurologjike. “Ne fillimet e hyrjes në qendër shikonim që fëmijët ishin të traumatizuar, të mbyllur në vete dhe me mangësi të theksuara social-edukative”, thotë Skerdi.

Ndërkohë që sot dhjetë vjet më pas, Esmeralda është një vajzë me një jetë normale në kushte të njëjta me të gjithë bashkëmoshatarët e saj. Jeton me motrën e vogël, ndërsa vëllai aktualisht banon në një qendër të specializuar për të sëmurët mendor. Gjendja e tij shëndetësore është përmirësuar me kalimin e viteve, ai është qetësuar, por sigurisht që e ka të pamundur të jetojë në ambiente ku kushtet nuk janë të specializuara.

Sot...

20-vjeçarja, sot ndjek studimet e larta në Infermieri dhe mendon se profesioni i saj do të vlejë për të ndihmuar ata që kanë nevojë. Ajo është pak e ndrojtur, imcake, por sytë e saj tregojnë shumë. Ato shprehin dëshirën për të mësuar, për të ecur drejt një jete të pavarur, por të sigurt, për një të ardhme plot surpriza dhe dashuri. “Kisha dëshirë, të vazhdoja Juridik ose Mjekësi, edhe mesataren e kisha të mirë, 9.7, por jam e kënaqur me shkollën që kam fituar dhe po ndjek”, thotë Esmeralda. Sigurisht, mesatarja e saj e lartë e studimeve, është edhe falë atyre që u kujdesën për të. Janë një grup specialistësh, të cilët për 10 vjet me radhë, janë kujdesur për Esmeraldën, motrën e saj më të vogël dhe të vëllain. Kushdo prej nesh do e kishte të vështirë të fliste dhe të kujtonte vështirësitë e pamerituara në fëmijëri, atëherë kur askush nuk duhet të mendojë për probleme, nuk duhet të ketë ankth, por duhet të bëj vetëm kapriçio dhe teka. Edhe 20-vjeçarja e ka të vështirë të flasë për gjithçka, për nënën, për vëllain, për babanë, për çdo gjë që ka kaluar, në një periudhë të errët të jetës së saj. Kushdo do ta kishte të vështirë të fliste nëse prindërit do ta keqtrajtonin, nëse do të rriten jetimë e do t’i mungojë fjala e nënës. Por histori të tilla ka kudo, në Shqipëri, në Amerikë, në Kinë. Esmeraldë e dashur, histori të tilla, si e jotja, shërbejnë që të tjerët që ndodhen në vështirësi, asnjëherë të mos e forcojnë veten dhe të pranojnë një realitet që nuk e meritojnë dhe të mësojnë nga dëshira jote për ta jetuar jetën pavarësisht çasteve të vështira.

“Sot vajzat janë mirë, janë të qeta, ndihen të sigurta. Ndonjëherë i ati vjen dhe i takon, u sjell ndonjë gjë nga fshati. Takohen dhe çdo gjë mbyllet këtu”, tregon Skerdi.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›