I preferojnë autorët e huaj

Nuk janë Blendi Fevziu, Edi Rama, Ismail dhe Helena Kadare apo Ben Blushi autorët e preferuar të shkrimtarëve kosovarë. Megjithëse librat e tyre janë më të shiturit e këtij viti, ata mbesin prapa autorëve të huaj.
Poeti dhe studiuesi i letërsisë Ag Apolloni thotë se edhe pse në këtë vit nuk është botuar ndonjë dramë, libër poetik apo roman shqiptar që do t'ia vlente të përmendej, mund të thuhet se këtë vakuum e kanë mbushur përkthimet dhe librat që anojnë kah dokumentariteti (kujtime, biografi, ese etj.). Kështu që, sipas Apollonit, ky vit për shkrimet shqipe mund të konsiderohet viti i parë që letërsinë artistike e vuri në plan të dytë, duke u dominuar nga shkrimet e politikanëve dhe të gazetarëve.
“Unë, për të mos dalë nga domeni letrar, do të ndalem te pesë libra që i konsideroj botime të veçanta të këtij viti. Ato janë: romani ‘Del hija’ i shkrimtarit amerikan Philip Roth, ‘Njolla në mur’ e autores angleze Virginia Woolf, ‘101 poezi dashurie’ nga poeti gjerman Bertolt Brecht, ‘Një qiell i lënë përgjysmë’ i poetit suedez Tomas Trasntromer dhe libri me kujtime ‘Kohë e pamjaftueshme’ i Helena Kadaresë”, u shpreh Apolloni.
Ai tha se këta pesë libra janë më të veçantit për arsye të ndryshme. Shkrimtarin amerikan Philip Roth, Apolloni e konsideron si një shkrimtar të patejkalueshëm bashkëkohor, i cili me romanin ‘Del hija’ (përkthyer nga Sokol Bega) rivjen fuqishëm në shqip.
“Ky roman, me rrëfimin e mahnitshëm, me dialogët domethënës e dramatikë dhe me strukturën që alternon romanin me dramën, është vetëm një mrekulli e radhës nga gjeniu Philip Roth”, tha Apolloni. Ndërsa për librin me tregime ‘Njolla në mur’ të Virginia Woolf-it (përkthyer nga Elvana Zaimi), Apolloni tha se është i mirëseardhur në shqip jo vetëm ngaqë është fjala për një shkrimtare të madhe dhe tragjike, por edhe pse tregimet e saj vijnë denjësisht në gjuhën shqipe falë përkushtimit të përkthyeses.
“Një përkushtim i tillë ndaj stilit të autorit, rrallë ndodh në përkthimet tona. Pra, Virginia Woolf vjen në shqip me tema ‘të vogla’ e stil të madh. Ndërsa, Bertolt Brecht (përkthyer nga Ardian Klosi), vjen në shqip më intim se kurrë më parë: si poet ashik, erotik dhe pornografik, pa atë ngarkesën e poetit të angazhuar e të ideologjizuar deri në ekstrem. Te ‘101 poezi dashurie’ kemi atë Brechtin që, siç thoshte gruaja e tij, ‘ishte burrë besnik, por besnik ndaj shumë grave’”, shtoi Apolloni. Ai tha se edhe libri me poezi i nobelistit të sivjetëm Tomas Transtromer duhet evidencuar këtu, sepse viti 2011 i solli atij çmimin më të madh letrar.
“Transtromeri, i përkthyer nga Natasha Lako (më 2002 dhe 2011), edhe pse në Kosovë fliste shqip nga viti 1986, flet me një gjuhë eliptike dhe dallohet për fuqi mendimi dhe sensibilitet human. Mund të tingëllojë paksa ironike që si në Prishtinë, ashtu edhe në Tiranë, ky ‘poet i heshtjes’ kaloi në heshtje”, theksoi Apolloni. Në listën e tij të pesë librave më të mirë që i ka lexuar, Apolloni e ka edhe një autore shqiptare. Fjala është për librin me kujtime të Helena Kadaresë, e cila këtë vit u shpall edhe ‘Autorja e Vitit’.
Sipas Apollonit, në librin ‘Kohë e pamjaftueshme’ ajo sjellë një rrëfim autobiografik, me një sinqeritet aq të munguar në shkrimet shqipe dhe me një sensibilitet femëror që e bën aq të gjallë dhe aq të brishtë rrëfimin.
“Për lexuesit shqiptarë dhe jo vetëm për ta (ngaqë është botuar edhe në frëngjisht), libri i Helenës është i pashmangshëm për, së paku, dy arsye: e para, sepse ai flet për jetën e autores përkrah shkrimtarit Ismail Kadare, i cili sa vjen e vlerësohet më drejtë dhe më shumë gjithandej në botë; e dyta, sepse ai flet për kohën e mbylljes dhe kohën e hapjes së Shqipërisë, nga një perspektivë personale e transponuar në stil atraktiv”, u shpreh Apolloni.
Poeti Ndue Ukaj mendon se në kohën e sotme, kur botohet jashtëzakonisht shumë dhe kur mundësitë për të përzgjedhë libra janë të mira, lexuesi ka çfarë të lexojë. E rëndësishme për të është që lexuesi të mos lajthitet nga propaganda, literatura populiste dhe letërsia në funksione joestetike.
“Unë përpiqem të ruaj një higjienë kulturore, e cila mendoj se është më së e domosdoshme për çdo lexues të kultivuar”, tha ai.
Pesë vepra që kanë lenë gjurmë te ai gjatë vitit 2011 janë: ‘Qiell i lënë përgjysmë’ i poetit suedez Tomas Ttranstromer; ‘Injoranti’ nga Milan Kundera; ‘Ismail Kadare: Shkrimtari dhe diktatura 1957-1990’ i autorit Peter Morgan; ‘Letërsia performative’ i studiuesit Anton Berishaj dhe ‘Libri i iluzioneve’ i shkrimtarit Paul Auster.
Ai i jep edhe arsyet pse këta libra i kanë pëlqyer më shumë.
“Libri me poezi i nobelistit suedez, ‘Qiell i lënë përgjysmë’, të mbërthen me botën e tij, me magjinë e shkrimit, me prurjet krejt autonome poetike, me botën e pasur imagjinative dhe aftësitë për t’i pasqyruar ndjesitë e botës dhe ato subjektive, në mënyrë krejt të veçantë, në një poezi që flet shumë, që le të nënkuptohet shumë dhe që t’i plotëson maksimalisht kërkesat estetike. Kësisoj, poezia e tij për mua, është një model specifik i poezisë”, tha Ukaj.
Ndërsa, për romanin ‘Injoranti’, Ukaj thotë se është një rrëfim plot gjallëri, një rrëfim emocionues, i cili, trajton jetën e emigrantit, të njeriut në kërkim, të asaj qenieje që çdo natë ëndërron të njëjtën ëndërr, ëndrrën e kthimit.
“Për ta sforcuar tematikën e romanit autori mjeshtërisht e funksionalizon Odiseun dhe peripecitë e tij. Në këtë roman, Odiseu nuk është vetëm një figurë që shpjegon kontekstin e jetës dhe veprimeve të Irenës. Për më tepër, ai është një figurë e motivueshme letrare. Kështu që Itaka ka shumë më tepër kuptim se shenja historike”, tha ai.
Libri i tretë për të cilin Ukaj thotë se i ka pëlqyer është “Ismail Kadare: Shkrimtari dhe diktatura 1957-1990” i autorit Peter Morgan. Ky libër, shprehet Ukaj, përveç se trajton marrëdhëniet mes diktaturës dhe shkrimtarit Ismail Kadare, njëkohësisht jep shumë të dhëna interesante për të kuptuar pjesën e madhe të letërsisë shqipe të shkruar gjatë asaj kohe.
“Më ka pëlqyer jashtëzakonisht ftohtësia e studiuesit në shtrimin e argumenteve, mënyra se si e ka vlerësuar pozicionin e autorit karshi diktaturës dhe diktaturën karshi autorit. Ai sikundër shtron dilemën e makthshme, a duhet të kërkojmë detyrimisht ‘viktimizimin’ e Kadaresë për të pasur një autor disident, siç ndodh nganjëherë në mënyrë jo humane t’i kërkohet Kadaresë, prandaj edhe vazhdon të mbrojë argumentin se letërsia e tij, romanet e shumta të tij, janë vepra të mëdha letrare, që e sfidojnë diktaturën”, u shpreh Ukaj. Në librin në fjalë, të studiuesit Morgan, sipas Ukajt, duket sikur Kadare dhe diktatori janë në një ring boksi, përfundimi i të cilit është me pasoja, mirëpo fitorja i dedikohet autorit.
Sikurse Apolloni edhe Ukaj në listën e tij e ka vetëm një autor shqiptar. Për librin e radhës dhe për autorin Anton Berishaj, Ukaj thotë se ai me këtë studim ka dëshmuar se është një dijetar i madh, një njohës i thellë i qenësive letrare dhe një studiues i pajisur me dije të mjaftueshme, për të shpjeguar probleme specifike të letërsisë shqipe dhe për të heqë mjegullën e sajuar pa nevojë nga qarqe jodashamirëse të letërsisë shqipe.
“Ky studim është teksti më serioz i shkruar ndonjëherë për letërsinë e vjetër shqipe, e cila pjesë e letërsisë shtreson bazat e kulturës shqiptare dhe kësisoj identitetit shqiptar. Ky libër mbetet një model i veçantë dhe krejtësisht autentik për studimet letrare tek ne. Kësisoj e vlerësoj si një nga librat më të rëndësishëm të botuar në fushën e studimeve letrare tek ne në këto vitet e fundit”, tha ai.
Ndërsa për shkrimtarin Paul Auster, Ukaj thotë se është një autor i dashur i tij, i cili shkruan në mënyrë krejt të veçantë dhe e mbërthen lexuesin në labirintet e një letërsie përplot mistere, ku ndjehen ankthshëm fatet dhe fatkeqësitë e njeriut.
“Autori, si në shumë romane tjera, edhe në këtë roman, trajton paradokset e njeriut, duke pasur në epiqendër të tij shumë herë një artist. ‘Libri i iluzioneve’ është një rrëfim për iluzionet e jetës, për paradokset e saj, për kërkimet e pakuptimta në pyllin e mistereve, ku njeriut papritur i ngatërrohen rrugët. Kështu ndodh me heroin e këtij romani”, tha Ukaj.
Ndërkaq, romancieri Gëzim Aliu thotë se tashmë kur era e ‘bestsellerëve’ po fryn vrullshëm kah ne e po ua zë (vetëm përkohësisht) ‘pamjen’ librave të mirë, nganjëherë edhe librave të mëdhenj, prapëseprapë ka çka të lexojë njeriu.
Prej pesë librave që atij i kanë bërë përshtypje më shumë, tre janë studime, ndërsa dy të tjerat romane.
Të parin e përmend librin ‘Autobiography’ të studiueses Linda Anderson, për të cilin thotë se përmbledh shumë qartë e saktë, teorikisht, problemet që lidhen me zhanrin e autobiografisë. I dyti është i një studiuesi kosovar. Bëhet fjalë për librin ‘Romani postmodern shqiptar’ të Adil Ollurit, për të cilin Aliu thotë se me diskursin e tij argumentues, autori i librit dëshmon për praninë e fuqishme të frymës postmoderne letrare në letërsinë shqipe, më saktë në romanin shqiptar të tridhjetë vjetëve të fundit të shekullit njëzet dhe këtë dhjetëvjetësh të këtij shekulli.
“Do ta kisha përmendur edhe një libër shumë të rëndësishëm, por fatkeqësisht të përkthyer jo edhe aq mirë: Peter Morgan ‘Kadare, shkrimtari dhe diktatura 1957-1990’, ku detajisht dhe në mënyrë shumë interesante paraqitet raporti i shkrimtarit të madh shqiptar me diktaturën komuniste. Ndërkaq, më ka pëlqyer shumë romani ‘Turpi’ i J. M. Coetze, pasi është një kryevepër që të sjell edhe kënaqësi estetike, edhe të bën të mendosh për situatat e vështira ku mund të bjerë intelektuali, por edhe për mënyrën autoriale të të rrëfyerit”, shprehet Aliu. Kurse, nga letërsia shqipe ai e veçon romanin e Fatos Kongolit ‘Iluzione në sirtar’. Për këtë roman Aliu thotë se është një vepër pothuajse autobiografike, rrëfim i bukur, i gjallë e i rrjedhshëm, për jetën nën diktaturë e pas saj, rrëfim që lidhet sidomos me botën e shkrimeve e për ngjarje personale të autorit, të thëna për së pari herë në këtë mënyrë, aq sinqerisht, pa poza, vetëjustifikime e vetëlavdërime.