E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lamtumirë profesor Adriatik Kallullit

28/12/2011  Pasioni i tij ishin letërsia dhe arti. Mund të cilësohet si “shërbëtor” i tyre dhe ndër të paktët kritikë të vërtetë shqiptarë. Sot ai nuk është më. Pas një sëmundjeje të rëndë prof. Dr. Adriatik Kallulli, njeriu i apasionuar i letërsisë dhe artit, pedagogu që jo vetëm dhuroi erudicionin e tij, por u fali leksione dashurie studentëve të Akademisë së Arteve, ka mbyllur sytë përjetë duke u larguar nga kjo botë. Profesori i shkencave gjuhësore letrare, Adriatik Kallulli është padyshim ndër emrat që krijoi dhe ndërtoi kritikën shqiptare. Siç e ka përcaktuar Fran Lleshi, ai u bë “Shërbëtor fisnik i artit”, por edhe altruist pa brigje i së resë letrare. Adriatik Kallulli është lindur më 28.08.1938, “kur sundonte monarkia dhe Shqipërinë e digjnin ethet e Luftës së Dytë Botërore”, siç shkruan Petraq Kote. Profesor Adriatik Kallulli erdhi në publik si personalitet, në vitet ´60. “Atëherë kur erdhi dhe gjeniu i letërsisë shqiptare me tagrin dhe targetin botëror, Kadare. Atëherë kur fillon si histori dhe si art, letërsia moderne bashkëkohore shqiptare. Pavarësisht se këtu ishte socializëm. Pavarësisht se këtu kishte diktaturë letrare. Pavarësisht se këtu u vranë poetë si Palaj, Prenushi, Xhagjika, Leka, Blloshmi dhe pse Fishta i vdekur dhe Koliqi i arratisur e, u burgosën Trebeshina, Gjini, Morava, Xhaferri, Rreshpja, Myftari, Zhiti, kur Greblleshi fshinte me fshesë jetën e vetë nëpër Tiranë e me radhë gulagianë artistë. Si Karlajli ndodhi edhe me prof. Kallullin. Askund deri më sot unë s´kam lexuar një kritikë denigruese, vrastare, servile të punuar nga ai”, vërehet nga Kote në një shkrim për profesorin, ku thuhet se nota kritike kallulliane nisi dhe u ngjiz në një nga gjimnazet e Tiranës. “Nuk u bë asnjëherë pjesë e kritikës dyfishe. Dhe pse ishte ndër premierët në kritikë, preferoi të ishte i vetëm me veten në të. Pothuaj të gjithë poetët, shkrimtarët e Shqipërisë etnike e njohin dhe respektojnë dinjitetin kritikë të Kallullit. Pas kësaj kohe, pena e tij si përfaqësuese e denjë e kritikës së specializuar, kompetente e dinjitoze, s’reshti më së shkruari...”. Në vitin 1987, prof. Adriatik Kallullit bashkoi të gjitha esetë, studimet, shënimet dhe nxori në dritë veprën kritike letrare “Nga realiteti te krijimtaria”, botim i shtëpisë botuese “Naim Frashëri”, Tiranë. Pas pesëmbëdhjetë vjetësh dhe pikërisht në vitin 2002, profesor Kallulli botoi librin tjetër me kritika “Pema e jetës”.

Jup Kastarti për Adriatik Kallullin:

“Ju, ju ka pajisur natyra me aftësinë e njeriut që ka si dhunti të vetën të paimitueshme forcën e shprehjes, ekspresivitetin, leksikun adekuat e të larmishëm, formën tërheqëse, të bukur, elegante, stilin energjik konician me brendi të shëndoshë me përmbajtje plot me brumë, me logjikë të mprehtë, me inteligjencë jashtëzakonisht të rrallë”.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›