E Diel, 1 Nëntor 2026

I premtojnë ndihmë njëri tjetrit

Ministri i Kulturës Memli Krasniqi, të martën, në kabinetin e tij, takoi drejtuesit e Unionit të Artistëve të Filmit të Kosovës, të cilëve u premtoi mbështetje në punën e tyre, por tha se edhe do të kërkojë ndihmën e tyre, sidomos në përgatitjen e legjislacionit për kinematografi.

Unioni i Artistëve të Filmit të Kosovës mund të llogarisë në ndihmën e Ministrisë së Kulturës dhe të ministrit Memli Krasniqi, por edhe mund t’i ofrojë ndihmë kësaj ministrie, sidomos kur bëhet fjalë për përgatitjen e legjislacionit për kinematografi. Në takimin që ministri Krasniqi e pati të martën me drejtuesit e këtij unioni, u theksua se funksionalizimi i plotë i UAFK-së është hap i rëndësishëm për komunitetin artistik dhe në përgjithësi për jetën kulturore në vend.

“Unioni i Artistëve të Filmit të Kosovës është një nga mekanizmat e rëndësishëm që duhet të ketë rol të veçantë në zhvillimin e kinematografisë së Kosovës si dhe lidhjes së bashkëpunimit me komunitete tjera të filmit në botë”, tha me këtë rast ministri Krasniqi.

Më tutje, ai premtoi mbështetjen e plotë të MKRS-së në planet e Unionit si dhe tha se në çdo fazë, sidomos në përgatitjen e legjislacionit për kinematografi, UAFK-ja do të jetë partneri kryesor. Ai e njoftoi kryetarin e UAFK-së, aktorin Lirak Çelaj me punën që është bërë në ndryshimin e Ligjit për Kinematografi.

“Tashmë po pritet që një ekspert ndërkombëtar të japë rekomandimet e veta dhe më pas draft-ligji të jetë në diskutim bashkë me kryesinë e Unionit të Artistëve të Filmit të Kosovës, por edhe më gjithë komunitetin artistik në vend”, shtoi ministri Krasniqi. Ai deklaroi se tashmë kultura dhe komuniteti artistik është i pavarur në punën e vet dhe se MKRS është vetëm një ndihmues dhe lehtësues i tyre.

Ministri Krasniqi e ka njoftuar kryetarin e UAFK-së edhe me zhvillimet tjera për kulturë, çështje që kanë të bëjnë me teatrin, subvencionimin e projekteve kulturore, si dhe plane tjera në këtë drejtim.

Në anën tjetër, kryetari i UAFK-së, Lirak Çelaj, duke e njoftuar ministrin Krasniqi me punën që po bën kryesia e re e Unionit, tha se ka një entuziazëm të madh tek anëtarët që të punohet edhe më shumë, dhe të jenë një shembull i mirë i organizimit të artistëve. Ai e vlerësoi mbështetjen që MKRS ka dhënë për filmin dhe gjithë projektet kulturore, ndërsa nuk la pa i premtuar ndihmë MKRS-së kurdo që të jetë nevoja.

“Unioni i Artistëve të Filmit të Kosovës do të jetë gjithnjë në gatishmëri që të japë kontributin e vet për zhvillim edhe më të madh të kinematografisë, si në aspektin e përgatitjes se infrastrukturës ligjore, funksionimit institucional si dhe lidhjes së bashkëpunimit me vendet tjera”, tha Çelaj.

Të dy u pajtuan të jenë në komunikim dhe koordinim të vazhdueshëm në projektet e ardhshme që do të ketë komuniteti artistik.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›