E Diel, 1 Nëntor 2026

I pret dorën shokut me sëpatë, pranga mësueses e drejtorit

GRAMSH - Një ngjarje e rëndë është shënuar mëngjesin e së enjtes në shkollën 9-vjeçare "Muharrem Çela" në fshatin Kukur të Gramshit. Një 11-vjeçar në klasën e 6-të ka plagosur me sëpatë bashkëmoshatarin e tij gjatë një grindjeje mes tyre. Ngjarja ka ndodhur në mëngjes kur fëmijët po prisnin drutë për ngrohjen e klasave.

11-vjeçari E. Gj. ka marrë plagë të rënda në dorën e djathtë si pasojë e goditjes me sëpatë, e cila ka përshkuar nga të dyja anët dorën e fëmijës, duke i shkaktuar atij dëmtime të rënda. Fëmija është dërguar me urgjencë drejt spitalit të Gramshit ku ka marrë ndihmën e parë mjekësore.

Sipas mjekut kirurg Qemal Zani, dora e djathtë e 11-vjeçarit ka humbur të gjitha funksionet e saj dhe për këtë arsye ata e kanë dërguar drejt spitalit Ushtarak për ndihmë më të specializuar.

Policia e Gramshit ka shkuar në vendngjarje ku ka marrë dëshmitë e stafit pedagogjik, si përgjegjës direkt për ngjarjen e ndodhur.

Sipas dëshmisë së dhënë në polici, drejtori i shkollës Nefail Kllogjeri ka deklaruar se ngjarja ka ndodhur rreth orës 11:00 gjatë pushimit të gjatë. Por deklarata e tij bie në kundërshtim me orën e regjistrimit të fëmijës në spital.

Policia menjëherë duke parë se dëshmitë nuk përputheshin midis drejtorit të shkollës Nefail Kllogjeri 45 vjeç dhe mësueses kujdestrare D. Dyrmyshi 28 vjeçe, i ka arrestuar dhe ka filluar procedimin e veprës penale për shpërdorim detyre.

Sipas kartelës mjekësore 11-vjeçari është paraqitur në spital në orën 11:00, çka do të thotë se ngjarja ka ndodhur gjatë orës së parë të mësimit kur fëmijët janë dërguar për të prerë dru. Fshati Kukur ndodhet të paktën 2 orë larg qytetit të Gramshit.

Përveç dëshmive që bien ndesh me njëra-tjetrën dhe kërkojnë të zbusin ngjarjen e rëndë të ndodhur në ambientet e brendshme të shkollës, titullari i këtij institucioni publik Nefail Kllogjeri nuk ka pranuar të prononcohet për mediat duke treguar edhe arrogancë ndaj gazetarëve.

Redaksia online
(eç/shqiptarja.com)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›