E Diel, 1 Nëntor 2026

I riu luante me pistoletën, vret pa dashje shokun e tij

17/07/2009  Autori shoqërohet në polici, viktima vdes në spital

TIRANE- Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në zonën e Laprakës, ku një shtetas duke luajtur me një pistoletë, ka plagosur bashkëmoshatarin e tij, i cili ndërroi jetë në Spitalin Ushtarak. Krimi ndodhi në një dyqan, ndërkohë që mësohet se autori e mbante pistoletën pa leje. Burime zyrtare nga uniformat blu të kryeqytetit thanë pak më parë se, vrasja ka ndodhur në një dyqan për pjesë këmbimi makinash që ndodhet në këtë lagje dhe i plagosuri shtetasi 22-vjeçar Edvin Koço është dërguar menjëherë në Spitalin Ushtarak. Mësohet se autori i dyshuar i kësaj ngjarjeje mësohet të jetë, Donald Buza, i cili ka qëlluar dhe ka plagosur në këmbë shokun e tij. Aktualisht autori i dyshuar është ndaluar dhe shoqëruar për në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Tiranës, ku dhe është marrë në pyetje me qëllim që të zbardhen shkaqet e vërteta të kësaj ngjarjeje. Përpara oficerëve gjyqësorë 22-vjeçari Donald Buza, ka pranuar autorësinë e krimit, duke treguar plotësisht rrethanat e ngjarjes. Sipas deklarimeve të tij, rreth orës 15:30 ai së bashku më shokun Edvin Koço, ishin duke luajtur me pistoletën, që Bazaj e mbante pa leje. Papritur në këtë situatë arma është shkrepur, gjë e cila ka sjellë plagosjen në këmbë të shtetasit Edvin Koço. Krismën e pistoletës e ka dëgjuar edhe pronari i dyqanit, i cili pasi ka parë shtetasin Edvin Koço të shtrirë në dysheme, ka lajmëruar menjëherë policinë si dhe në të njëjtën kohë ka transportuar në drejtim të spitalit 22-vjeçarin Koço. Në vendin e ngjarjes kanë mbërritur punonjësit e policisë, të cilët kanë kryer ndalimin e Donald Buzës si dhe sekuestrimin e pistoletës dhe të gëzhojës. Aktualisht në ngarkim të Buzës u ngrit akuza e “plagosjes nga pakujdesia” dhe “armëmbajtjes pa leje”.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›