E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bilanci tragjik, një i vdekur dhe dy të plagosur

17/07/2009  Rriten aksidentet në autostradë dhe në qytete

Një këmbësor rreth 65 vjeç, Abaz Tare, ka humbur jetën në aksin rrugor Frakull-Kafaraj në rrethin e Fierit, ndërsa 2 të rinj kanë qenë me motoçikletë. 65-vjeçari nga fshatrat e Vlorës ishte nisur për vizitë tek e bija në fshatin Kafaraj të rrethit Fier, ndërsa 2 të rinjtë me motoçikletë shkonin në kahun e kundërt të lëvizjes së tij. I moshuari sapo kishte zbritur nga furgoni i Fierit dhe po kalonte në kahun tjetër të rrugës kur është goditur nga motoçikleta që shkonte me drejtim nga Kafaraj për në Frakull. I aksidentuari së bashku me 2 të rinjtë janë drejtuar nga kalimtarë të rastit për në spitalin civil të Fierit për të marrë ndihmën e parë mjekësore, por nuk ka mundur t’i rezistojë plagëve dhe ka humbur jetën gjatë transportit. Drejtuesi i motoçikletës C. H. 18 vjeç ndodhet në spital në gjendje të rëndë, ndërsa shoku i tij A. Rr. ka marrë plagë të lehta. Ky i fundit duke qenë jashtë rrezikut është shoqëruar për të marrë mjekimin e nevojshëm pranë Drejtorisë së Policisë së qarkut Fier. Sipas Policisë Rrugore, e cila ka mbërritur menjëherë në vendngjarje, shkak i aksidentit ka qenë pakujdesia e 65-vjeçarit, i cili u ka ndërprerë rrugën motoçiklistëve, por edhe shpejtësia e madhe e drejtuesve të motoçikletës.

Ngjarja

Sipas burimeve policore, mësohet se Ç. H, lindur e banues në Frakull së bashku me një shokun e tij të quajtur A. Rr. kanë qenë duke ecur me motor të tipit "Yamaha" nga Kafaraj në drejtim të Frakullës. Dy të rinjtë ishin duke ecur me shpejtësi tej normave të lejuara edhe pse rruga që po përshkonin gjatë paradites është tepër e frekuentuar. Në dalje të fshatit Kafaraj motoçikleta e dy 18-vjeçarëve është përplasur fuqishëm me një burrë të moshuar, rreth të 65-tave që sapo kishte zbritur nga një furgon pasagjerësh. Furgoni ishte nisur nga Fieri dhe transportonte pasagjerë për në disa fshatra të Levanit dhe Frakullës. Përplasja e motoçikletës me të moshuarin ka qenë e fuqishme dhe jo vetëm që i ka shkaktuar fraktura të rënda të moshuarit, por edhe dy të rinjtë që ndodheshin në të kanë "fluturuar" në rrugë në një lartësi 3 metra. Të tre të plagosurit janë marrë me automjete të rastit dhe janë transportuar për në spitalin e Fierit. Për të moshuarin, mjekët e urgjencës kanë deklaruar se ka mbërritur në spital i vdekur, kurse të rinjtë mjekët e urgjencës i kanë shtruar menjëherë në repartin e Reanimacionit. Mjekët kanë thënë për policinë se "gjendja e dy të rinjve është e rëndë. Ata kanë marrë plagë të rënda dhe kanë pësuar dëmtime të shumta në trup". Policia e qarkullimit, e cila ka mbërritur në vendin e aksidentit rreth 30 minuta më vonë pas këqyrjes së vendit të ngjarjes si dhe gjurmëve të gjetura në të, ka nxjerrë se shkak i këtij aksidenti të rëndë ka qenë shpejtësia me të cilën udhëtonte motoçikleta.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›