E Martë, 3 Nëntor 2026

I shpallur në kërkim për vrasje në Dukagjin, RTSH intervistë ekskluzive me Edmond Nikën pak para vetëdorëzimit

Edmond Nika, i cili akuzohet si një ndër autorët e ngjarjes së mbrëmshme në Dukagjin, ku mbeti i vrarë, Zef Guri dhe i plagosur i biri, Gjin Guri ka vendosur që të vetëdorëzohet në polici, pasi ka mësuar në media emrin si autor i dyshuar.

Në një intervistë ekskluzive për RTSH-në, Edmond Nika pretendon se është i pafajshëm dhe se në momentin kur ka ndodhur ngjarja, ai ka qenë në fshatin Grudë e Re, duke riparuar makinën e tij dhe kjo sipas tij mund të verifikohet qartë nga policia përmes kamerave.

“Normal që do të vetëdorëzohem, jam i pafajshëm. Unë kam qenë gjithë ditën nën vëzhgimin e kamerave. E kam marrë vesh që jam shpallur në kërkim nga lajmet. Edhe sikur të jesh fajtor duhet të dorëzohesh, por kur je i pafajshëm duhet të dorëzohesh patjetër”, u shpreh ai.

Edmondi thotë se me familjen e viktimës ka lidhje gjaku dhe se nuk mundet kurrsesi që të qëllojë me armë ndaj Zef dhe Gjin Gurit. Ai tregon se punon në Shkodër në ndërtim dhe se nuk e lidh gjë me aktivitetet e paligjshme të kultivimit të kanabisit në Dukagjin.

“Personat që janë shpallur në kërkim i njoh si emra, por s’kam asnjë lidhje me ta. Në Polici do të dëshmoj pafajësinë time”, deklaroi Nika.

Pas deklarimit të tij për RTSH, 29-vjeçari takohet me policin e rojës duke i treguar se ka ardhur për t’u vetëdorëzuar.

Pas vetëdorëzimit të tij pritet të ketë edhe një komunikatë zyrtare nga Drejtoria Vendore e Policisë.

Gazetar: M.Rakaj

/rtsh/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›