I shpëtoi plumbave, identifikohet personi i tretë në atentatin mafioz në Athinë. Shqiptari me precedent të mëparshëm penal

Mediat greke kanë publikuar detaje të reja nga atentati mafioz ndaj dy shqiptarëve ditën e djeshme (15 dhjetor) në Athinë.
Viktimë e atentatit mbeti Irakli Davella, ndërsa Edi Lolo u plagos dhe ndodhet në gjendje të rëndë. Sipas raportimeve, së bashku me 45-vjeçarin që humbi jetën dhe Edi Lolon, 46 vjeç, ka qenë edhe një person që nuk është prekur nga plumbat.
Siç shkruajnë mediet e huaja, është identifikuar mbrëmjen e kësaj të hëne personi që ndodhej në kafe me Irakli Davella dhe Edi Lulo alias Etmond Hysa.
Bëhet fjalë për një person me precedentë penalë në Greqi, i përfshirë në çështje gjobvënieje dhe vjedhje.
Policia greke ka nisur kërkimet për të me qëllim që t’i marrë dëshminë. Kërkime njëkohësisht po bëhen edhe për mjetin tip “Polo” që dyshohet se është përdorur nga autorët.
Kush është Irakli Davella?
Irakli Davella, sipas një dokumenti të Parlamentit grek, ishte pjesë e një grupi ku përfshihen mafiozët grekë Vasilis Grivas (vrarë në 2017), Jorgos Litsas (vrarë në 2018) dhe Manolis Karaggianis (vrarë në 2018).
Mes emrave të këtij grupi, ku janë shumë shqiptarë të tjerë, bie në sy edhe ai i Evis Shytit, një 40-vjec shqiptar i arrestuar këtë vit si pjesëtar i një grupi gjobëvënësish, i përfshirë edhe në një rast shpërthimi eksplozivi në muajin mars në Pire. Grupi ku përfshihet Davella rezulton i akuzuar për “organizatë kriminale”, “vrasje”, “tentativë vrasje”, “gjobëvënie”, “grabitje”, “tentativë mashtrimi”, “pastrim parash”, etj.
Informacionet nga mediat greke, bëjnë me dije se 45-vjeçari që humbi jetën, ishte pronar lokali në Peristeri dhe se policia beson se bëhet fjalë për larje hesapesh. Nga hetimet ka rezultuar se në vitin 2009 kundër viktimës është ngritur procedim penal për organizim kriminal, zhvatje dhe të tjera, ndërsa pas kësaj ai dyshohet se nuk ka qenë i përfshirë në ngjarje kriminale.
Shënjestra megjithatë thuhet se ka qenë edhe njeriu i cili ka mbetur i plagosur rëndë dhe po lufton për jetën, Edi Lolo, i cili kishte ardhur së fundi në Greqi nga Dubai, për të cilin hetuesit besojnë se ka luajtur rol kyç në pritë.
Autoritetet greke vlerësojnë se ndoshta ardhja e tij në Greqi ka ndodhur për një arsye specifike dhe ka mobilizuar një grup rival, i cili ka dashur ta eliminojë.
Kush është Edi Lulo alias Etmond Hysa?
Edi Lulo, 46 vjeç, është emri aktual që mban në gjendjen civile i plagosuri i atentatit të djeshëm në Athinë. Policia greke ka zbuluar se personi i plagosur, më parë ka mbajtur identitetin Etmond Hysa, lindur në 1978 në Shqipëri.
Ai rezulton se ka qenë i dënuar në Greqi dhe madje ka bërë burg për ngjarjen e vitit 2011, ku bashkë me dy shqiptarë të tjerë, grabitën Dhomën e Avokatëve të Athinës dhe nën kërcënimin e armëve morën 404.493 euro.
Gjithashtu ai u akuzua edhe për grabiten e një klinike mjekësore në Pagrati të Athinës ku u morën pajisje me vlerë 110.000 euro. Pasi kreu burgun, mësohet se u riatdhesua në Shqipëri. Edi Lolo, 46 vjeç, kishte disa ditë që ishte nga Dubai në Athinë. Ai qëndronte mes Dubait dhe Greqisë. Lulo rezulton edhe pronar i një biznesi në Durrës. /vizionplus.tv