E Hënë, 2 Nëntor 2026

Zbardhen gjashtë raste të vjedhjeve, arrestohen hajdutët në Vlorë

Polica e Vlorës zbardh 6 raste të vjedhjeje, në Dukat, Radhimë dhe Orikum duke vënë në pranga autorët.

Uniformat blu sekuestruan një rulot që ishte vjedhur prej tyre.

Autorët, një 26 vjeçar dhe tjetri, 38 vjeç dyshohet se kanë vjedhur një shumë prej 700 eurosh dhe 25 mijë lekësh në shtëpinë e një bashkëfshatari.

Por, jo vetëm kaq, në tre muajt e fundit ata kanë vjedhur edhe disa koshere me bletë në Radhimë e Llogara.

“Shërbimet e Stacionit të Policisë Orikum në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Vlorë, në vijim të punës për zbardhjen e vjedhjeve të ndodhura më parë dhe vënien e autorëve përpara përgjegjësisë ligjore, bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca informative, finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Rulot,” si rezultat i të cilit u vunë në pranga shtetasit:

  • J. S, 26 vjeç, banues në Orikum;
  • G. G., 38 vjeç, banues në Dukat.

Nga veprimet hetimore dyshohet se këta shtetas, më datë 14.12.2024, në fshatin Dukat, kanë vjedhur një shumë prej 700 euro dhe 25,000 lekë në banesën e shtetases R. I, si dhe një rulot ( camper) në pronësi të shtetasit A. C, i cili u gjet dhe u sekuestrua gjatë kontrollit të banesës së shtetasit G. G.

Gjithashtu, nga hetimet ka rezultuar se këta shtetas dyshohen si autorë të 4 vjedhjeve të tjera të kryera gjatë 3 muajve te fundit, konkretisht: Vjedhje të disa koshereve të bletëve në Radhimë dhe Llogara dhe vjedhje të disa bagëtive në Radhimë dhe Orikum.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme”, thuhet në njoftim. /vizionplus.tv

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›