I vjedhin shtëpinë, lë detyrën anëtarja e Kolegjit Zgjedhor
TIRANË- Anëtarja e Kolegjit Zgjedhor, Entela Prifti, njëherësh kryetare e Gjykatës së Apelit të Korçës ka lënë sot detyrën në Kolegj dhe është zëvendësuar nga një tjetër anëtar. Fillimisht u njoftua se gjyqtarja largohej për arsye familjare, por më pas u mor vesh se largimi i saj erdhi pas vjedhjes së banesës së saj në Korçë.
Policia e Korçës në një njoftim zyrtar bën me dije për tentativë vjedhjeje të ndodhur në banesën e shtetasit Viktor Prifti dhe pas hetimeve ka vënë në pranga edhe autorin, një person që mësohet të ketë qenë me precedentë penale.
"Autor është shtetasi Daniel Dauti, i datëlindjes 1989, lindur dhe banues në lagjen Nr.10 Korçë, me arsim 8 klasë, me gjendje gjyqësore i dënuar më parë për veprën penale të vjedhjes"- thonë burimet policore, duke shtuar se ai ka hyrë në banesë nëpërmjet tarracës.
Sipas tyre, ky shtetas është edhe autor i vjedhjes së një lokali pak ditë më parë.
"Nga ana e policisë u kryhen të gjitha veprimet hetimore e procedurale, të cilat do t'i kalohen për ndjekje të mëtejshme Prokurorisë së rrethit"- thuhet në njoftimin e policisë.
Entela Prifti është një nga tetë anëtaret e Kolegjit Zgjedhor qër ditësh po merret me shqyrtimin e ankimimeve të subjekteve politike për zgjedhjet.