Orikumi përfshihet nga flakët, dyshohen temperaturat e larta
VLORË- Vatër zjarri në zonën kënetore të Orikumit. Flakët kanë përfshirë një sipërfaqe të konsiderueshme dhe janë përhapur me shpejtësi, duke e bërë shumë të vështirë ndërhyrjen e zjarrfikësve. Ato kanë mundur vetëm të 'luftojnë' me flakët e mëdha, por pa arritur të futen në brendësi të vatrës. Sipërfaqja që ndodhet në flakë është në distancë relativisht të madhe me qytetin dhe për fat nuk ka shfaqur rrezik. Brenda zonës ndodhet bimësi e tipit shkurre, të cilat kanë bërë që zjarri të dukej i përmasave të mëdha.
Punonjës të zjarrfikëses, më tepër se zjarrëvënieve të zakonshme, kanë hedhur dyshimet e një zjarri të ndodhur për shkak të temperaturave. Megjithatë ende nuk është shprehur qartë për shkakun. Ky është zjarri i parë pranë kësaj zone, rënë për këtë vit, ndërkohë që zona pranë Karaburunit, vite më parë shumë herë është përfshirë nga flakët.