E Shtunë, 31 Tetor 2026

I zhdukuri ende biznesmen

Edhe pse rezulton i zhdukur që prej vitit 1995, shqiptaro-maqedonasi vazhdon të jetë përfaqësues ligjor i kompanisë Albatros, e cila ka ende status aktiv

TIRANË - Shqiptaro-maqedonasi Remzi Hoxha, i zhdukur që prej tetorit të vitit 1995, rezulton të jetë ende përfaqësues ligjor i firmës “Albatros”, e cila tashmë pas 13 vjetësh rezulton ende “në punë”. Zbulimi është bërë në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit, ku firma në fjalë rezulton ende me status aktiv dhe me pronar Remzi Hoxhën, për rrëmbimin dhe zhdukjen e të cilit po gjykohen në Gjykatën për Krime të Rënda kreu aktual i Tatimeve, Arben Sefgjini dhe tre ish-vartësit e tij në Shërbimin Informativ Kombëtar. Sipas të dhënave zyrtare që ndodhen në QKR, rezulton se shoqëria me emrin “Albatros” me numër nipti J61901005U është themeluar më datë 18 nëntor të vitit 1992. Forma ligjore e këtij subjekti që e ka qendrën në rrugën “Siri Kodra” në Tiranë, është me “përgjegjësi të kufizuar” dhe ka si përfaqësues ligjor shtetasin Remzi Hoxha, edhe pse ky person rezulton i zhdukur prej 13 vjetësh. Të interesuar pranë Qendrës Kombëtare të Regjistrimeve për këtë “rastësi” vërtet të çuditshme, burime zyrtare thanë se të dhënat që ndodhen në këtë institucion janë përcjellë nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve. “Është detyra e organeve tatimore të kontrollojnë dhe të rakordojnë listën e bizneseve që nuk ushtrojnë më veprimtarinë e tyre”. Por rreth kësaj çështjeje juristët ndajnë mendime të ndryshme. Avokatë që kanë si objekt të punës së tyre çështjet administrative dhe ato tregtare thanë se biznesi mund të mbyllet vetëm në dy raste. Rasti i parë i mbylljes së një biznesi ka të bëjë me deklarimin e falimentit nga ana e administratorit. Ndërsa mënyra tjetër e mbylljes së biznesit mund të bëhet me kërkesën e palës së interesuar, e cila pasi ka shlyer të gjitha detyrimet në organet tatimore dhe ato vendore, kërkon zyrtarisht mbylljen e aktivitetit. Sipas ekspertëve të çështjeve ligjore, në të dy këto raste biznesi vazhdon të tatohet dhe taksohet normalisht, pavarësisht faktit se nuk kryhet një aktivitet i tillë. Por organet hetimore që kanë si objekt të punës së tyre hetimin e çështjeve që kanë të bëjnë me shmangien e taksave dhe tatimeve, thonë se pavarësisht statusit të shoqërisë, i cili mund të jetë ende aktiv, biznesi nuk mund të tatohet në rast se nuk zhvillon ndonjë aktivitet tregtar. Nga të dhënat e siguruara në Prokurorinë për Krime të Rënda, organ i cili hetoi rrëmbimin dhe zhdukjen e biznesmenit shqiptaro-maqedonas, dhe dëshmitë e familjarëve të Remzi Hoxhës, rezulton se arsyeja që ai erdhi në Shqipëri ishte biznesi. Në vitin 1992 Remzi Hoxha regjistroi në Gjykatën e Tiranës firmën “Albatros”, e cila kishte si aktivitet prodhimin e dyerve dhe dritareve prej duralumini. Mësohet se ky aktivitet ka vazhduar deri në tetor të vitit 1995, kur Remzi Hoxha u rrëmbye nga disa persona, që sipas prokurorisë rezultojnë të kenë qenë të SHIK-ut të kohës. Më pas biznesi i Hoxhës pushoi së funksionuari, ndërsa tashmë, pas 13 vjetësh, firma “Albatros” rezulton të jetë ende “në punë”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›