Në PD duhet konkurrencë

-Partia Demokratike po futet në procesin e zgjedhjeve brenda strukturave të saj. Cila është ecuria e këtij procesi?
Aleksandër Biberaj: “Procesi i zgjedhjeve që do të zhvillohen në Partinë Demokratike është konform me statutin, pasi një herë në katër vjet kryhet procesi i zgjedhjeve të brendshme. Zgjedhjet kanë filluar në nivel seksionesh, për të vazhduar në nivel grupseksionesh, nëndegësh dhe degësh, dhe për të përfunduar më pas me Këshillin Kombëtar dhe kryesinë, që natyrisht janë atribute të kongresit. Do të jetë një fushatë, e cila duhet të shënojë edhe një rivitalizim të Partisë Demokratike, një hapje të mëtejshme, ku besoj se do të synohet afrimi i intelektualëve të rinj në moshë dhe i të gjithë atyre që dëshirojnë të merren me politikë në spektrin e djathtë”.
-A mund të kemi sërish ngritjen e një modeli si Komiteti i Orientimit të Politikave (KOP), për të afruar sërish të rinj të tjerë në PD?
“Komiteti i Orientimit të Politikave ekziston në statutin e Partisë Demokratike, kështu që nuk mendoj se ka vend për të krijuar paralelizma me KOP-in. KOP-i ekziston tashmë me statut, ka kompetencat e tij dhe është një strukturë funksionale. Natyrisht, kur je në opozitë ka një mision tjetër, ashtu sikurse kur je në mazhorancë, që misioni është tjetër”.
-A mund të përdorë Partia Demokratike të njëjtën skemë që ndoqi para zgjedhjeve të vitit 2005, duke afruar të rinjtë, por edhe të larguarit e PD-së?
“Partia Demokratike e ka treguar për 18 vite që ka qenë dhe mbetet një parti e hapur. Në një farë mënyre, PD-ja është bërë si shkollë partie, sepse nga PD-ja kanë dalë pothuajse të gjitha partitë e djathta, në formë fraksionesh do të thosha, por si fraksione të paorganizuara dhe jozyrtare. Këta elementë kanë bërë karrierë politike në Partinë Demokratike, në një moment të caktuar, por që për arsye të ndryshme objektive apo subjektive ata janë larguar, por dhe janë rikthyer përsëri. Në Partinë Demokratike ka pasur gjithnjë prurje të reja, kryesisht elementë të rinj të shkolluar dhe të specializuar në Perëndim. Unë mendoj se duhet përmirësuar edhe pjesëmarrja e grave dhe vajzave. Natyrisht, ne kemi një kuotë prej 25 për qindësh në të gjithë forumet, e cila respektohet, por kjo kuotë mund të rritet në përbërjen e grupit të ri parlamentar që do të dalë nga zgjedhjet e vitit 2009. Por pjesëmarrja e grave dhe e vajzave mund të rritet edhe në qeverisje”.
-Si e shikoni rikthimin e mundshëm të disa figurave të hershme të Partisë Demokratike?
“Çdo njeri që dëshiron të vijë në Partinë Demokratike, ose që rikthehet, duhet të ketë parasysh se ka një statut, i cili duhet respektuar, dhe duhet të ketë një konkurrencë të brendshme brenda partisë. Gjithmonë e kam përkrahur konkurrencën dhe e përkrah, në mënyrë që ne të kemi sa më shumë persona që motivohen, sa më shumë kandidatë, gjë që sjell edhe konkurrencë brenda partisë. Natyrisht që konkurrenca e ndershme mund t’i shërbejë edhe unitetit të mëtejshëm të PD-së”.
-Po diskutohet për shkrirjen e PDR-së, por edhe për disa forca të tjera politike ku bëjnë pjesë disa nga të larguarit nga Partia Demokratike. Në rast se këta figura rikthehen, sa i mirëpritur do të ishte një kandidim i tyre për postet në PD, duke qenë se ata bëhen anëtarë të saj?
“Në qoftë se do të bihet dakord për modalitetet e shkrirjes ose të bashkimit, gjë që do të vendoset nga forumet drejtuese të PD-së, çdo individ mund të kandidojë. Konkurrenca për politikën është si “leva e Arkimedit” në fizikë”.
-Ju keni mbështetur kandidatin e deklaruar për kreun e PD-së së Tiranës, Besnik Mustafaj. Mos do të thotë kjo se ju vetë nuk do të kandidoni për një post të tillë, apo synoni për më lart?
“Natyrisht që kur i ofron mbështetje një politikani për një post, kjo nënkupton që ju vetë nuk jeni kandidat për atë post. Kuptohet që çdo politikan ka ambiciet dhe synimet e veta për të bërë karrierë politike, por unë mendoj se gjërat vijnë natyrshëm në kohën e duhur dhe në vendin e duhur, kështu që le t’ia lëmë kohës. Lidhur me kandidaturën e z. Besnik Mustafaj, do të thosha se është një kandidaturë shumë e mirë. Ai është themelues i Partisë Demokratike, ka 18 vite aktivitet politik në PD dhe vjen nga rrethet intelektuale. Në dhjetor të vitit 1990 ai vinte si shkrimtar në Qytetin Studenti bashkë me zotin Berisha. Ka një karrierë politike dhe diplomatike të shkëlqyer. Kështu që mendoj se është një figurë e kompletuar jo vetëm për të qenë një kandidat, por edhe për të qenë kryetar i Partisë Demokratike të Tiranës. Me formimin e tij, unë mendoj se do të mbrojë dhe do të përfaqësojë mirë interesat e demokratëve të Tiranës dhe të komunitetit të kryeqytetit. Unë jam shprehur publikisht se do të mbështes zotin Mustafaj në kandidimin e tij. Kjo, pasi gjykoj se është edhe në interesin e PD-së, sidomos të degës së Tiranës, e cila është dega më e rëndësishme dhe Tirana përcakton edhe fituesin e zgjedhjeve të ardhshme. Me ligjin e ri elektoral, kur të bëhen edhe ndryshimet përkatëse, Tirana mund të ketë një numër shumë të madh deputetësh, 20, 25 apo ndoshta edhe 30 deputetë, çka do të thotë se Tirana do të përcaktojë edhe fatin e zgjedhjeve. Unë mendoj që dega e Tiranës po të drejtohet nga zoti Mustafaj, do të ketë shanse dhe mundësi për të shënuar fitore në Tiranë, e cila natyrisht do të ndihmojë edhe në fitoren e Partisë Demokratike në zgjedhjet e përgjithshme, në mënyrë që ne të kemi edhe një mandat të dytë qeverisës”.
-A ka ndonjë diskutim konkret për sa i përket situatës parazgjedhore të së djathtës, apo ka vetëm deklarata publike?
“Unë mendoj se jemi në fillimin e një procesi, kështu që le t’i lëmë kohë vetes, për të parë se cila do të jetë skema më e mirë, qoftë për riorganizimin e brendshëm të PD-së, skemë e cila besoj se do të ketë parasysh edhe skemën elektorale, por edhe për aleancat me partitë e tjera të djathta. Nëse mund të dilet me aleanca parazgjedhore apo paszgjedhore, ka ekzistuar ideja e federatës, ideja e shkrirjes së partive, dhe kështu janë të gjitha alternativat e hapura, ndaj unë mendoj se do të ketë kohë për të bërë zgjedhjen më të mirë të mundshme, në mënyrë që ne të marrim edhe një mandat të dytë qeverisës. Dëshiroj të përsëris edhe diçka: duke pasur parasysh se kam qenë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku kam pasur shansin dhe mundësinë të ndjek nga afër fushatat elektorale qoftë të demokratëve, qoftë të republikanëve, e përsëris që duhet të ketë konkurrencë brenda Partisë Demokratike, në mënyrë që kjo parti të ecë përpara, drejt fitores së një mandati të dytë qeverisës. Pra, të ketë kandidatë me alternativat e tyre, me lobingjet e tyre dhe të fitojë me i miri”.
-A mendoni se kjo periudhë është e përshtatshme për të diskutuar edhe për ndarjen e posteve partiake nga ato qeveritare?
“Realisht tani jemi vonë, sepse kjo mund të diskutohej dhe të vendosej gjatë këtyre tre viteve. Ne po futemi në vitin e fundit të mandatit, kështu që po futemi në riorganizimin e Partisë Demokratike dhe unë e kam mbështetur dhe e mbështes ndarjen e posteve, pasi mendoj që një person e ka shumë të vështirë që të mbajë dy poste. Në qoftë se një person përqendrohet në qeveri, atëherë personat e tjerë duhet të përqendrohen në parti. Kështu që ne arrijmë të motivojmë edhe më shumë personalitete. Kjo gjë, mesa duket, do të mbetet temë diskutimi i forumeve të larta të Partisë Demokratike dhe, pse jo, edhe e statutit të ri që do të miratohet vitin tjetër nga Kuvendi i radhës”.
-Po flitet vazhdimisht se grupi i të rinjve të PD-së e synon shumë drejtimin e Tiranës, pasi ky post do të ketë rol vendimtar në listat e deputetëve. A ka realisht një konkurrencë mes të rinjve dhe të vjetërve në Partinë Demokratike?
“Unë nuk do të dëshiroja që të bëja një ndarje të tillë mes të rinjve dhe të vjetërve. Po të marr veten time, nuk e di ku do të pozicionohesha, pasi kam 18 vite që jam në Partinë Demokratike (që i bie të jem veteran i PD-së) dhe nga ana tjetër jam 40 vjeç, moshë jo shumë e re, por as edhe e vjetër, kështu që nuk dëshiroj të bëj një ndarje të tillë. Unë jam përkrahës i kontributeve të politikanëve, i personaliteteve që kanë kontribute në PD, natyrisht që kanë edhe vlera qytetare dhe intelektuale, si dhe që janë shquar në karrierën e tyre profesionale. Unë mendoj që politikani duhet të jetë një kombinim, gërshetim i karrierës profesionale me karrierën politike, por edhe me vlerat morale, qytetare dhe intelektuale”.