IKMT liron një tjetër segment të aksit rrugor Elbasan-Përrenjas-Qafë Thanë

TIRANË, 4 shtator/ATSH/ Një tjetër segment i projektit infrastrukturor për zgjerimin e aksit Elbasan-Përrenjas-Qafë Thanë është liruar, duke i hapur rrugë vijimit të investimit nga Autoriteti Rrugor Shqiptar.
Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit (IKMT) bëri të ditur se ka liruar sheshet e ndërtimit në këtë segment, përmes shembjes së godinave një dhe dykatëshe që pengonin zhvillimin e projektit.
“Një tjetër segment në projektin infrastrukturor të zgjerimit të aksit Elbasan-Përrenjas-Qafë Thanë është liruar për të vazhduar investimi nga Autoriteti Rrugor Shqiptar”, njoftoi IKMT.
Institucioni sqaroi se për objektet që dispononin titull hipotekor është ndjekur procedura ligjore për shpronësimin e tyre.
Lirimi i shesheve të ndërtimit krijon kushtet për vijimin e punimeve në këtë aks të rëndësishëm rrugor, pjesë e investimeve për përmirësimin dhe zgjerimin e infrastrukturës rrugore në vend.
/e.xh/a.f/r.e/