Punimet në rrugën Elbasan-Rrogozhinë arrijnë në 87%, vijon asfaltimi në 15 km

TIRANË, 4 shtator/ATSH/ Punimet për ndërtimin dhe zgjerimin e rrugës Elbasan–Rrogozhinë po vijojnë me ritme të larta, ndërsa realizimi fizik i përgjithshëm i 6 fazave të para të projektit ka arritur në 87%.
Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) bëri të ditur se aktualisht po punohet intensivisht për realizimin e shtresave asfaltike në rreth 15 kilometra të segmentit.
Në segmentin Elbasan–Papër, Faza 3, punimet janë përqendruar te shtresat asfaltike në veprat e mëdha të artit, konkretisht në dy ura. Paralelisht, janë drejt përfundimit edhe punimet e mbistrukturës në dy ura të tjera.
“Vijon me ritme të larta puna në 6 fazat e para të rrugës Elbasan-Rrogozhinë”, njofton ARRSH.
Sipas autoritetit rrugor, ecuria e punimeve tregon një progres të rëndësishëm të projektit, i cili ndodhet në fazën e përfundimit.
ARRSH vlerëson se vijimi i punimeve sipas këtij ritmi synon realizimin në kohë të objektivave të parashikuara për këtë vepër të rëndësishme infrastrukturore, e cila synon përmirësimin e lidhjes rrugore ndërmjet Elbasanit dhe Rrogozhinës.
1 nga 5/e.xh/a.f/r.e/