E Hënë, 2 Nëntor 2026

IKMT shemb objektin 3-katësh pa leje në Parkun Kombëtar të Valbonës

TIRANË, 17 shtator /ATSH/ Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit (IKMT) ka vijuar aksionin për prishjen e ndërtimeve pa leje brenda Parkut Kombëtar të Valbonës, si pjesë e përpjekjeve për të mbrojtur mjedisin dhe për të ruajtur integritetin e zonave të mbrojtura.

Në këtë fazë të operacionit, është shembur një objekt 3-katësh me nënçati, me konstruksion betonarme dhe muraturë tulle, i ndërtuar në kundërshtim të plotë me ligjin dhe pa lejet përkatëse ndërtimore.

IKMT ka theksuar se ndërhyrjet në zona të mbrojtura si Parku Kombëtar i Valbonës përbëjnë shkelje të rënda, të cilat cenojnë biodiversitetin dhe ekosistemin natyror të zonës.

“Ne mbetemi të vendosur në goditjen e paligjshmërisë, mbrojtjen e mjedisit dhe ruajtjen e pasurisë sonë natyrore për brezat e ardhshëm”  thuhet në njoftimin e IKMT-së.

Aksioni është zhvilluar me prezencën e forcave të rendit dhe në koordinim me institucionet mjedisore dhe lokale, me qëllim garantimin e zbatimit të ligjit në zonat e mbrojtura.

IKMT pritet të vijojë me verifikimet dhe ndërhyrjet në territor, duke theksuar se asnjë ndërtim i paligjshëm nuk do të tolerohet, veçanërisht në zona me vlera të larta natyrore dhe turistike si Valbona.

e.xh/j.p/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›