E Hënë, 2 Nëntor 2026

Balluku: Realizohen 40% e punimeve në rrugën Kthesa e Patosit-Fratar

TIRANË, 16 shtator /ATSH/ Punimet në segmentin rrugor Kthesa e Patosit–Fratar po ecin me ritme të kënaqshme, ku deri më tani është realizuar rreth 40% e projektit.

Lajmi u bë i ditur nga zëvendëskryeministrja dhe njëherazi ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, e cila ndau në rrjete sociale pamje nga kantieri i ndërtimit të rrugës Kthesa e Patosit-Fratar që po i nënshtrohet një rehabilitimi të plotë.

Sipas Ballukut, në këtë aks vijon puna për ndërtimin e plotë të rrugës, duke përfshirë: ndërtimin e veprave të artit, skarifikimin e asfaltit ekzistues, zgjerimin e rrugës si dhe punimet të tjera për rehabilitimin e plotë.

Balluku tha se, në segmentin e dytë të rrugës ka nisur tashmë edhe hedhja e shtresave asfaltike, një hap i rëndësishëm drejt përfundimit të projektit.

Pjesë e projektit rrugor është edhe ndërtimi i trotuareve, si edhe pajisja e rrugës me ndriçim dhe sinjalistikë. Aksi rrugor Fier-Kthesa e Patosit-Fratar është me një gjatësi prej afro 43 kilometrash.

Ky investim pritet të sjellë lehtësim të lëvizjes për banorët dhe përdoruesit e rrugës, si dhe të nxisë zhvillimin ekonomik të zonës përreth.

Me rehabilitimin e aksit rrugor Kthesa e Patosit-Fratar, Mallakastra dhe e gjithë zona, do të jetë më lehtësisht e aksesueshme, duke i shërbyer kështu jo vetëm banorëve, por edhe vizitorëve, për shkak të potencialeve të shumta që zona ofron.

1 nga 5

/e.xh//r.e//a.f/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›