ILDKP: 16 zyrtarë janë kallëzuar për mashtrim dhe fshehje të pasurisë

Adriatik Llalla
Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive ka kallëzuar penalisht 16 zyrtarë për fshehje të pasurisë dhe refuzim të deklarimit për vitin 2011. Kreu i ILDKP-së, Adriatik Llalla, raportoi dje në Komisionin e Ligjeve lidhur me raportin e vitit të kaluar, ku theksoi se pasuria e 422 zyrtarëve ka kaluar në skaner të hollësishëm. ILDKP ka kërkuar nga organi i Prokurorisë nisjen e procedimit penal ndaj 16 subjekteve deklaruese të niveleve të ndryshme; 5 zyrtarë të kallëzuar për deklarim të rremë apo fshehje pasurie; 11 zyrtarë të kallëzuar për refuzim të deklarimit të pasurisë. Sipas një informacioni statistikor nga prokuroritë e rretheve gjyqësore, për vitin 2011 janë regjistruar 16 procedime penale, janë përfunduar 12 (dymbëdhjetë) procedime penale dhe janë në fazën e hetimeve paraprake 4 (katër) procedime penale, u shpreh Llalla në fjalën e tij. Duke dhënë shifra të hollësishme për kallëzimet e depozituara, kreu i ILDKP-së tha se nga 5 kallëzime për shkak të fshehjes së pasurisë apo deklarimit të rremë, për 4 kallëzime Prokuroria vendosi pushimin e çështjes, ndërsa një kallëzim është në fazën e hetimeve paraprake. Nga këto 4 kallëzime, Gjykata ka rrëzuar vendimin e Prokurorisë duke rihapur çështjen, ndërsa në dy rastet e tjera janë lënë detyra konkrete për organin e akuzës. Nga 11 rastet e kallëzuara për refuzim për deklarim, parashikuar nga neni 257/a/1 i Kodit Penal: për 8 procedime janë përfunduar hetimet paraprake dhe janë dërguar për gjykim në gjykatat e rretheve gjyqësore sipas juridiksionit përkatës. Vetëm 2 procedime janë në fazën e hetimeve paraprake. Për një rast është vendosur pushimi i procedimit penal dhe është në proces ankimimi nga ILDKP, u shpreh më tej Llalla. Ai e vuri theksin te domosdoshmëria e ndryshimit të ligjit për konfliktin e interesit, draft i cili është duke u përpunuar përpara se të kalojë në Parlament. Ne kemi sugjeruar amendimin e ligjeve që rregullojnë veprimtarinë e institucionit tonë dhe besoj se do të jenë kontribut i rëndësishëm në kryerjen e hetimeve të plota dhe të gjithanshme të institucionit tonë. Po kështu, ndihmesë të madhe do të japin edhe amendimet e fundit që iu bënë Kodit Penal për rastet kur ka dyshime se fshihet pasuria, u shpreh Llalla. Ndërsa deputeti i PD-së, Fatos Hoxha, duke pyetur pikërisht për ndryshimet që do të ndërmerren në ligj, theksoi: A përmbajnë amendamentet e ligjit bazë zgjidhjen e konfliktit sa i përket fshehjes së pasurive nga ana e zyrtarëve të lartë? Bëhet fjalë për gjyqtarë, prokurorë dhe deputetë. Në perceptimin qytetar, pavarësisht se thuhet se deklaratat janë të hapura, ekziston ideja se zyrtarët e lartë fshehin pasuri tepër të mëdha. Për ti dhënë edhe njëherë e mirë zgjidhje asaj që nuk i është dhënë, që të ndahen politikanët e ndershëm nga ata të pandershëm, që të mos thuhet nga qytetarët që të gjithë politikanët janë njësoj, a merr zgjidhje kjo çështje?.
Shifrat e ILDKP
5333 deklarata të interesave private kanë kaluar në skanerin e ILDKP116 subjekte kanë kaluar në kontroll të plotë të pasurisë për shkak të mospërputhjes mes aseteve të krijuara dhe burimit financiar të tyre
306 subjekte kanë kaluar në kontroll të plotë për shkak të funksionit, përzgjedhjes nga shorti dhe për shkak të burimeve të ligjshme si media, publiku etj.
86 subjekte janë gjobitur për shkak të tejkalimit të afatit të deklarimit të pasurisë
23 subjekte janë gjobitur për shkak të shkeljes së rregullave të deklarimit
8 zyrtarë janë gjobitur për shkak se kanë qenë në konflikt interesi
13 raste janë evidentuar në konflikt interesi në disa institucione
16 subjekte deklarues janë kallëzuar penalisht në Prokurori, nga të cilat 12 procedime penale janë përfunduar dhe 4 janë në proces
Fino: Jo konflikt interesi në ILDKP
ILDKP-në duhet ta kemi qelibar të pastër. Punonjësit e Inspektoratit duhet të mos kenë asnjë lidhje me të gjithë atë armatë njerëzish që kontrollohen. Nuk mund të kesh as gra prokurorësh, as gra gjykatësish, as deputetësh, as drejtorësh të përgjithshëm, sepse ky është konflikt interesi, u shpreh deputeti i PS-së, Bashkim Fino, në mbledhjen e djeshme të Komisionit.
Gjobat, mblidhen 1.1 milion lekë
Shuma prej 1 155 000 lekësh është vlera e arkëtuar nga ILDKP-ja gjatë vitit 2011 nga 44 subjekte me shkelje në ligj, të cilat janë derdhur 100% në buxhetin e shtetit. Gjithashtu ka një ndjekje të vazhdueshme ndaj procedurave ligjore për ekzekutimin dhe shlyerjen e çdo gjobe të mospaguar vullnetarisht nga subjektet, duke iu drejtuar Gjykatës për lëshimin e urdhrave ekzekutivë dhe ndjekur seancat gjyqësore për këtë qëllim, thuhet në raportin e Kuvendit.