Konferenca e Kryetarëve: Raundi 2 për presidentin, më 4 qershor

Konferenca e kryetarëve ka vendosur datën 4 qershor, ora 10:00, si raundin e dytë për votimin e presidentit të ri të vendit.
Opozita kërkoi 5 qershorin si datë për votimin e kreut të ri të shtetit por kjo gjë u hodh poshtë nga mazhoranca me arsyetimin se dita e hënë është edhe afati që përban kushtetuta e Shqipërisë.
Seanca e sotme ka dështuar pasi Partia Socialiste nuk pranoi të votojë kandidaturën e propozuar nga mazhoranca për kreun e ri të shtetit.
Procedurat
Në Kushtetutë është vendosur që procesi i votimit për zgjedhjen e Presidentit të ri të bëhet në pesë raunde nëse zgjedhja nuk arrihet në raundin e parë dhe kandidatët të marrin 84 vota të deputetëve të pranishëm. Votimi për zgjedhjen e kreut të shtetit do të kryhet çdo shtatë ditë, derisa kandidatët që do të jenë në garë të sigurojnë një mbështetje maksimale. Çdo votim do të kryhet në mënyrë të fshehtë dhe pa debat. “Për zgjedhjen e Presidentit, Kuvendi zhvillon deri në pesë votime. Votimi i parë zhvillohet jo më vonë se shtatë ditë nga fillimi i procedurës për zgjedhjen e Presidentit. Secili nga votimet e tjera zhvillohet jo më vonë se shtatë ditë nga përfundimi pa sukses i votimit pararendës. Votimi quhet i kryer edhe kur në konkurrim nuk paraqitet asnjë kandidat. Në votimin e dytë, të tretë dhe të katërt mund të paraqiten kandidatë të rinj, sipas kushteve të pikës 1 të këtij neni”, thuhet në nenin 86 të Kushtetutës.
Mazhoranca ka propozuar si kandidat të saj për president të vendit anëtarin e gjykatës kushtetutese Xhezair Zaganjori i cili u përzgjodh mes disa propozimeve të figurave po nga drejtësia apo nga fusha e diplomacisë.
Kush është Xhezair Zaganori
Prof.As.Dr. Xhezair Zaganjori lindi më 9 mars të vitit 1957 në Shkodër, Shqipëri. U diplomua në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Tiranës në vitin 1981. Që nga kjo kohë ai ka qenë lektor i së Drejtës Ndërkombëtare Publike, i të Drejtës Evropiane dhe i të Drejtave të Njeriut në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Tiranës, në Shkollën e Magjistraturës dhe në Shkollën e Studimeve Evropiane, Tiranë. Gjatë viteve 1992-1997 ka qenë Ambasador i Republikës së Shqipërisë në RF të Gjermanisë.
Në vitin 1993 merr gradën shkencore “Doktor i Shkencave Juridike” dhe në vitin 2002 “Profesor i asociuar”. Ka qenë bashkëpunëtor shkencor pranë Institutit Max-Planck, Heidelberg. Në vitin 1991 është zgjedhur anëtar i Gjykatës së Pajtimit dhe Arbitrazhit pranë OSBE-së me seli në Vjenë. Është autor i një sërë botimesh shkencorë brenda dhe jashtë vendit.
Është pjesëmarrës aktiv në Kongrese e Konferenca të ndryshme ndërkombëtare brenda dhe jashtë vendit. Që nga viti 2003 ushtron funksionin e anëtarit të Gjykatës Kushtetuese.