E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nuk hiqet moratoriumi për skafet

30-05-2012 / Gazeta 55

Komisioni i Sigurisë rrëzon kërkesën e PS-së

Komisioni i Sigurisë ka rrëzuar kërkesën e Partisë Socialiste për heqjen e moratoriumit të skafeve me 10 vota pro dhe 9 vota kundër.
Opozita e justifikonte propozimin e vet me faktin se moratoriumi është një masë e tepërt dhe dëmton bizneset. Sipas relacionit të socialistëve, ky ligj ka bllokuar zhvillimin turistik e ekonomik të Shqipërisë.
Mbledhja e djeshme u shoqërua me debate të ashpra mes palëve, pasi PD-ja ka kundërshtuar nismën e PS-së me argumentin se do t’i hapej rrugë zhvillimit të trafiqeve të paligjshme.
Deputeti Osman Metalla theksoi se moratoriumi i skafeve solli liberalizimin si dhe ulje të trafikut të qenieve njerëzore dhe lëndëve narkotike.
“Tani që jemi në prag të statusit ne na duhet lufta ndaj trafikut, moratoriumi është më i mirë për ta luftuar”, theksoi Metalla, ndërsa deputeti PD-së, Gjokë Uldedaj deklaroi se ky moratorium duhet të jetë në fuqi edhe për disa vite.
Deputetët e Partisë socialiste e kanë argumentuar nismën e tyre në komision me arsyetimin se moratoriumi i skafeve nuk ka penguar trafikimin e lëndëve narkotike. “Të huajt na kanë treguar qartë se burimi i hashashit është Lazarati”, u shpreh deputeti i PS, Artan Gaçi, i cili është nismëtar i projektligjit për heqjen e moratoriumit të skafeve.
“Maratoriumi është ligj ekstrem që merret kur institucionet nuk kontrollojnë dot territorin e vendit. Shtyja për 3 vjeçarin e dytë ishte absurde. Të huajt e besojnë se ne kemi moratorium. Moratoriumi nuk i ndalon trafikantet për të punuar”, theksoi deputeti Gaçi.
Në përfundim të debateve, deputetët e mazhorancës në Komisionin e Sigurisë rrëzuan me 10 vota kundër kërkesën e socialistëve për rikthimin e mjeteve lundruese në brigjet shqiptare.
Moratoriumi është vendosur prej gjashtë vitesh nga mazhoranca aktuale dhe ka pasur si qëllim bllokimin e trafiqeve të paligjshme që bëheshin nëpërmjet skafe drejt Italisë dhe Greqisë. Dy ditë më parë, Partia Demokratike deklaroi se kërkesa e socialistëve ishte e porositur nga mafia, që sipas demokratëve, urdhëron dhe komandon disa prej deputetëve socialistë.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›