E Diel, 1 Nëntor 2026

ILDKP: Prokuroria nuk hetoi tre zyrtarë të lartë

Adriatik Llalla akuzoi dje organin e akuzës se nuk ka hetuar zyrtarët e lartë, por vetëm ata të nivelit të ulët


TIRANË - Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive akuzon Prokurorinë e Përgjithshme se mban standarde të dyfishta në trajtimin e kallëzimeve penale të bëra ndaj zyrtarëve të niveleve të ndryshme, të cilët akuzohen për mosdeklarim apo fshehje të pasurisë.


Madje, kreu i ILDKP-së, Adriatik Llalla, gjatë prezantimit të raportit vjetor të punës së këtij institucioni dje në Komisionin e Ligjeve ka akuzuar prokurorinë se ka mbyllur hetimet e tre zyrtarëve të lartë. Duke iu referuar rasteve konkrete të kallëzimeve penale, Llalla ka deklaruar se gjatë vitit 2009-të është vënë re se organi i akuzës në punën e vet të hetimit të rasteve të denoncuara ka mbajtur qëndrime favorizuese për zyrtarët e lartë, ndryshe nga sa ka vepruar në rastet e zyrtarëve të niveleve të ulëta.


"ILDKP ka vënë re se organi i prokurorisë aplikon standarde të ndryshme për raste të ngjashme. Pavarësisht se nga ana formale procesi i hetimit administrativ është i njëjtë për të gjitha rastet, ILDK konstaton se për zyrtarët kryesisht lokalë prokuroria ka bërë një punë serioze për dërgimin e çështjes për gjykim, kjo iniciativë nuk vihet re kur ILDK kallëzon penalisht zyrtarë të nivelit të lartë e që vërtetohet se nuk justifikojnë legjitimitetin e pasurive disa milionëshe", - tha Llalla.


Për të vërtetuar këtë shqetësim, Llalla ka sjellë para komisionit të ligjeve për ilustrim disa të dhëna konkrete ku vihet re se të gjitha çështjet e pushuara nga prokuroria subjektet janë zyrtarë të lartë. "Nga 15 kërkesa për nisjen e procedimit penal, 8 procedime janë dërguar për gjykim dhe 3 janë pushuar.


Nga tetë procedimet e dërguara për gjykim janë shpallur fajtor nga gjykata 7 persona dhe në 1 rast është dhënë pafajësi. Informacioni i paraqitur nga prokuroria rezulton se nga 3 procedimet e pushuara nga prokuroria janë pikërisht zyrtarë të nivelit të lartë, të cilët nuk kanë mundur të justifikojnë pasurinë e tyre të cilat arrijnë në qindra mijëra euro", - tha më tej Llalla.


I pyetur nga deputetët në lidhje me shumat e dyshuara dhe të pajustifikuara të këtyre subjekteve, kreu i ILDKP-së ka thënë: Bëhet fjalë për shifra nga 300 mijë euro deri në 700-800 mijë euro.


Nën insistimin e vazhdueshëm të deputetëve të djathtë, ai ka pohuar se institucioni që drejton ka kryer edhe një hetim të hollësishëm të rasteve kur zyrtarët kanë qenë në konflikt interesi dhe veçanërisht atyre në KRT-në e Bashkisë Tiranë, ku kanë rezultuar se dy anëtarë të saj kanë marrë pjesë në procesin e dhënies së lejeve të ndërtimit në kundërshtim me ligjin.


Duke bërë prezantimin e përmbledhur të këtij raporti, inspektori i përgjithshëm i ILDKP-së ka theksuar se në disa raste janë evidentuar deklarime të rreme, duke fshehur pasuri, për të cilat është kërkuar nisja e procedimit penal, por, natyrisht, duke sjellë në vëmendje vështirësitë e hasura për shkak të pasurive informale që kanë zyrtarët që kanë detyrimin e bërjes së deklarimit.


Ai ka bërë të ditur se gjatë periudhës Janar-Dhjetor 2009-të janë administruar 4964 deklarata të interesave private, nga të cilat 1052 deklarata i janë nënshtruar verifikimit paraprak për gabime materiale.


Ndërkohë, kanë kaluar në proces të kontrollit të plotë 355 deklarata të kontrollit të subjekteve të deklaruara nga të cilat ka dërguar në prokurori për kallëzim penal 16 zyrtarë, të kategorive të ndryshme të akuzuar për veprën penale refuzim për deklarim, mosdeklarim dhe fshehje të pasurisë.


Gjithashtu, ai ka bërë të ditur se ILDKP ka aplikuar masën e gjobës për rastet e mosdeklarimit në kohë pa shkaqe të përligjura, megjithëse në krahasim me një vit më parë ky numër ka qenë 50 për qind më i ulët. Ndërsa 168 raste janë kontrolluar për konflikt interesi dhe janë ende në proces kontrolli 64 raste të tjera.


Nga numri i subjekteve të verifikuara vetëm për pesë zyrtarë janë marrë masa administrative të dënimit me gjobë për konflikt interesi.


Në përfundim të prezantimit dhe diskutimit të raportit Komisioni i Ligjeve ka miratuar edhe një rezolutë për të cilën ka deputetët e djathtë nuk kanë qenë të gjithë dakord për tekstin e propozuar nga relatori Gent Strazimiri.


ulmi i debatit ka qenë pikërisht pika 5 e rekomandimeve, ku përcaktohej se ILDKP duhet të informonte publikisht apo drejtpërdrejtë Kuvendin për rastet kur autoritetet përgjegjëse, kryesisht prokuroria e Republikës së Shqipërisë neglizhojnë apo kap rezultate të ulëta në ndjekjen dhe ndëshkimin e konfliktit të interesit apo fshehjes së pasurisë. Me insistimin e deputetit demokrat, Dashnor Sula, në listën e këtyre subjekteve janë përfshirë edhe KLD dhe Ministria e Drejtësisë.

Eduard Halimi:
"Nga 16 raste në prokurori mund të quhen të dështuara. A mund ta informoni se cila është marrëdhënia me prokurorinë dhe a e bën inefikase punën tuaj gjendja pasive e prokurorisë?"

Adriatik Llalla:
"Jo të gjitha rastet që kemi kallëzuar kanë pasur të njëjtin përfundim. Ajo që na shqetëson është mbajtja e standardeve të ndryshme, provat të plota çështjet shkojnë direkt në gjykatë. Zyrtarët lokalë procedohen, por për zyrtarët e niveleve të larta çështja zvarritet dhe kanë thuajse të njëjtin përfundim, pushohet. Në rastin konkret bëhet fjalë për një prokuror rrethi, një zyrtar i zgjedhur nga kuvendi, një ambasador. Këto raste kemi vënë në dijeni institucionet eprore Prokurorin e Përgjithshëm, Presidentin dhe Kuvendin".


Eduard Halimi:
"Për çfarë shifrash bëhet fjalë se janë fshehur?"

Adriatik Llalla:
"300 mijë euro deri në 700-800 mijë euro. Vijojmë procesin e ankimit në gjykatë".

Aldo Bumçi:
"Merrni të dhëna nga shumë institucione keni vështirësi për menaxhimin e të dhënave, sa e rëndësishme është media?"

Adriatik Llalla:
"Media është aleati kryesor, kjo përmendet dhe në raport. 112 raste hetimesh janë me burim kryesisht mediat. 52 raste për kontroll nga media. Stafi përpunon në kohën e duhur informacionin".

Fatos Hoxha:
"Sa politikanë të nivelit të lartë janë për ndjekje penale, deputetë, ish-deputetë, ministra, ish-ministra etj.? A jemi verifikuar si duhet. A kemi raste kur gdhihen politikan dhe mbarojnë si biznesmenë?"

Adriatik Llalla:
"Deri tani nuk ka deputet. Në fund të vitit që shkoi kallëzuam një ish-deputet, z. Paturin. Gjobat janë minimale 20-30 mijë lekë".

Dashnor Sula:
"Më vjen mirë që projektrezoluta është në frymën pozitive, por gjykoj që te pika 5 që bëhet fjalë për informim të Kuvendit për organet përgjegjëse, ku përmendet dhe prokuroria e përgjithshme sigurisht do doja të përfshinte dhe gjykatat, sepse kur diskutohet për një subjekt për ndjekje penale nuk është vetëm nga prokuroria që mban përgjegjësi."

Genti Strazimiri:
"Pika 5 duhet të qëndrojë kështu, sepse, duke denoncuar vendimet e gjykatave, kalojmë vijën e limitit. Ndryshe është për prokurorinë, raste që ILDKP ka prova dhe ka bërë hetim, të gjitha këto elementë të mjaftueshëm për prokurorinë dhe ajo refuzon kjo është në rregull, jemi brenda limiteve. Nëse kthehet në vendim gjykate veç instancave brenda gjyqësorit s'ka vend për ne."

Eduart Halimi:
"Rasti i marrëdhënieve me prokurorinë caktohet në kushtetutë që ajo raporton në kuvend, ndërsa gjykata jo. Nuk kemi ne atributin të kontrollojmë gjykatat. E drejtë ajo që ka vënë relatori."

Dashnor Sula:
"Duhet modifikim. Të përjashtohet Ministria e Drejtësisë është jo e drejtë se ajo kontrollon vendimet e gjykatave."

Ilir Rusmali:
"Cila është lidhja e posaçme e Ministrisë së Drejtësisë me deklarimin e pasurive, e informoni atë?"

Adriatik Llalla:
"Rast pas rasti informojnë çdo institucion epror. Mund të njoftojmë këdo nëse konstatojmë shkelje të gjyqtarëve. Ministrinë, nëse punonjësi i saj ka shkelje, por jo për çdo rast."

Dashnor Sula:
"Të futen të tre institucionet."

Ilir Rusmali"
"Pika 5
Të përfshihen të tre institucionet"

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›