PS le sallën e Kuvendit: Duam transparencën e zgjedhjeve

Socialistët deklaruan dje se marrëdhënia e tyre me Kuvendin kalon në një shtrat, transparencën e plotë dhe pa kushte të zgjedhjeve
TIRANË - Ashtu siç ishte paralajmëruar, grupi parlamentar i Partisë Socialiste ka lënë sallën e Parlamentit, fill pas mbylljes së pjesës së parë të rendit të ditës, ku u diskutua gjatë nga vetë deputetët e kësaj partie për domosdoshmërinë e transparencës së plotë të zgjedhjeve të 28 Qershorit. Deputeti i PS-së, Fatmir Xhafaj, ka deklaruar që në fillim të seancës se mazhoranca nuk po e pranon krizën e gjithanshme dhe të përditshme.
"Ne jemi sërish sot në këtë sallë për të dëshmuar gjithmonë e më fort se në themel të të gjitha krizave që po kalon vendi është trajtimi i votës dhe vullnetit të qytetarit. Në këtë sallë janë ngrysur shumë net të vështira. E tillë ishte dhe nata e 19 marsit kur arroganca e kartonit në verbëri të plotë nën diktatin politik të Kryetares së Kuvendit i dha një goditje tjetër të fortë legjitimitetit të cunguar të këtij kuvendi, të cilit iu nëpërkëmb jo vetëm morali, por edhe thelbi i funksionit të tij ligjvënës", - tha dje Xhafaj.
Deputeti i PS-së shtoi se e premtja e "zezë" e Kuvendit e shtyn opozitën të deklarojë se marrëdhënia e saj me Kuvendin kalon vetëm dhe vetëm në një shtrat, transparencën e plotë dhe pa kushte të zgjedhjeve.
"Zonja Kryetare ka kërkuar ndjesën time meqenëse jam shprehur se ajo jashtë rregullores ka vendosur në vendimin e zbardhur edhe emrat e anëtarëve demokratë të në përbërje të një komisioni të lindur të vdekur. Do të kërkoja pa hezitim ndjesë publike vetëm nëse do kishte një prej jush që do të mund të argumentonte publikisht qoftë edhe këtë fakt të vetëm.
Cila është logjika ligjore dhe procedurale e ndjekur nga znj. Kryetare kur me të njëjtën kërkesë të grupit tonë parlamentar u konsiderua e pranueshme tërheqja e projektligjit ndërsa nuk u pranua ajo për projektvendimin, kur të dyja ishin iniciativa ligjore të nënshkruara nga të njëjtët deputet, të të njëjtit grup parlamentar me të njëjtin kryetar grupi që artikuloi kërkesën e tërheqjes së të dyja iniciativave?!!" - tha Xhafaj.
Për pasojë, ai i është drejtuar kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, që të pranojë shkeljen e ligjit dhe të rregullores në ngritjen e komisionit hetimor si dhe të pranojë të pavërtetat e dhëna në letrën që Kryetarja Topalli ju ka nisur partnerëve ndërkombëtarë për atë çfarë ka ndodhur në seancën e 18-19 marsit për faj të socialistëve.
Xhafaj shtoi se Partia Socialiste ka rihyrë në Kuvend për të rikonfirmuar se është e gatshme për çdo kompromis politik në funksion të së mirës të vendit dhe se nuk do të heqë dorë nga kërkesa e saj kushtetuese për të garantuar transparencën e zgjedhjeve të shkuara.
Ndërsa, Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, i është përgjigjur akuzave të socialistëve për parregullsi, duke paraqitur filmimin e momentit të votimit të komisionit hetimor, të 28 marsit. Ajo shtoi se nuk është shkelur asnjë ligj e rregullore e Kuvendit.
********************
Kryeministri Sali Berisha i shmanget çështjes së transparencës së zgjedhjeve dhe flet në Kuvend për Sheshin
Berisha: Sheshi "Skëndërbej" të kthehet në treg
"I bëj thirrje kryetarit të Bashkisë se sheshi mund të ndërtohet me bashkëpunim. Problem mbetet trafiku"
TIRANË - Kryeministri Sali Berisha i është shmangur dje kërkesës së opozitës për transparencën e zgjedhjeve përmes hapjes së kutive të votimit, duke u fokusuar tek konflikti i qeverisë me Bashkinë e Tiranës për sheshin "Skënderbej".
Apeli i drejtuar mazhorancës në fillim të seancës plenare nga deputetët e opozitës për transparencën e zgjedhjeve të fundit parlamentare, u anashkalua krejtësisht nga kreu i qeverisë duke e kthyer debatin parlamentar në çështjen e sheshit qendror të kryeqytetit.
Duke vënë në dukje se ky shesh është i rënduar nga trafiku i makinave, Berisha kërkoi që Bashkia e Tiranës në bashkëpunim me qeverinë ta shndërrojnë atë në një vend të lirë për këmbësorë dhe njëkohësisht në një treg të gjerë. Kryeministri Berisha akuzoi Bashkinë e Tiranës se sheshi i kryeqytetit të vendit është shndërruar në një shesh pa qytetarë dhe ku mungon tërësisht tregu.
"Pra, në mënyrën më barbare ashtu sikur luftohet tregu në tërësi, kryeqyteti u nxor jashtë tregut. Duke iu zhveshur tregu, Tirana u shndërrua në qytetin e vetëm në botë, me shesh pa qytetarë. Në një shesh pa qytet. Aty ku nuk ka qytetarë nuk ka qytet. Iku tregu. Pse Tirana ka shesh pa qytet, sepse sheshi "Skënderbej nuk ka qytetarë. Ai është një shesh i atyre me veturë, është një shesh i zyrtarëve me veturë.
Çdo qytetar, i riu, i moshuari në të gjithë vendin mund të gjejnë diçka, por në sheshin "Skënderbej" nuk gjejnë asgjë", - tha dje Berisha. Sipas tij, Bashkia nuk posedon asnjë studim të mirëfilltë për rikonstruksionin e sheshit dhe se projekti i saj sipas Berishës, nuk mund të lehtësojë trafikun e qytetit, por mund ta rëndojë edhe më tepër atë. Në këtë mënyrë, sipas Kryeministrit nëse duhet që sheshi të shndërrohet edhe për këmbësorë, nevojitet që të garantohet administrimi i trafikut.
Për këtë arsye, Berisha shfaqi pozicionin e tij se ai "nuk do të bëhet pjesë e shkatërrimit të trafikut të qytetit" duke marrë parasysh projektin e Bashkisë së Tiranës. "Nëse vendoset për t'u bërë për këmbësorë ka një kusht themelor, duhet të garantosh trafikun e qytetit.
Imagjinoni për një moment të gjithë sheshin me autobusë dhe vetura, sesi do t'i zgjidhë një segment që kalon nga Hotel Peza tek INSIG-u me dy korsi trafikun e gjithë qytetit që bart sheshi, kjo për mua është jashtë çdo lloj hamendjeje, që mund ta marrë për bazë. Kjo është arsyeja që unë nuk mund të bëhem as bashkëfajtor as bashkë autor në një proces që mund t'i japë goditjen më fatale trafikut të kryeqytetit, i cili është problemi numër një i kryeqytetit",- u shpreh ai.
Lideri mazhorancës, propozoi gjithashtu që Bashkia të marrë të gjitha kompetencat e saj për rikonstruksionin e sheshit, por sipas Berishës duhet që më parë të ketë një studim dhe të garantojë gjallërimin e tregut. Kreu i ekzekutivit nënvizoi se kjo nuk është një çështje politike për kutitë e votimit midis dy krerëve të pushteteve, por një interes jetik për qytetarët. "Por këtu po anashkalohen parimet e tregut. Por, ajo që garantojmë ne është zgjidhja e çështjes së trafikut të Tiranës.
Të bëhet gjallërimi i tregut. Të kenë kinema dëfrimi, librari, dyqane surveniresh etj. Ligji do të zbatohet dhe atë duhet ta zbatojmë bashkërisht. Kjo nuk është çështja e kutive, dil nga kutia në shesh. Këtu ka një interes madhor, nuk është çështje politike, por është çështje për interesin e qytetarëve. Qeveria ta financojë asfaltimin, pjesë të tjera le t'i shtojë bashkia.
Nuk kam asgjë me studiot, por duhet të dalë nga interesa të caktuara. Sheshi duhet të jetë vepër serioze. I bëj thirrje kryetarit të Bashkisë, se sheshi mund të ndërtohet me bashkëpunim, ku Bashkia do të ketë të gjitha kompetencat e veta, por duhet të garantojë rikthimin e tregut", - theksoi Berisha. Ai shtoi se qeveria mund të financojë apo shpronësojë unazën e kryeqytetit, por duhet që Bashkia të disponojë një studim për të gjitha këto që sipas Berishës ajo nuk e ka.
*****************
Prokuroria: ILDKP-ja nuk bazohet në ligje
TIRANË - Prokuroria e Përgjithshme reagoi dje lidhur me akuzat e ILDKP-së. Përmes një njoftimi zyrtar, Prokuroria ka theksuar se nuk janë përdorur dy standarde. "Prokuroria gjatë vitit 2009-të, për kallëzimet e paraqitura nga ILDKP-ja, ka pushuar hetimet për shtetasin Florian Nova me detyrë ambasador, shtetasin Arjan Ndoja me detyrë prokuror dhe shtetasin Shpëtim Guxholli me detyrë inspektor tatimesh në Korçë.
ILDKP është njohur rast pas rasti me vendimet e pushimit dhe ka ankimuar në gjykatë vendimet e pushimit vetëm për shtetasit Florian Nova dhe Arjan Ndoja", - thuhet në njoftimin për shtyp. Sipas prokurorisë, Gjykata e Tiranës me vendimet e mësipërme ka lënë në fuqi vendimet e pushimit si të bazuara në prova dhe ligj.
"Zyrtari i lartë i emëruar nga Kuvendi, për të cilin ILDKP-ja pretendon se janë mbyllur hetimet pa të drejtë nga prokuroria, është shtetasi Detar Hysi me detyrë anëtar i KKRTSH. Ky është një rast i vitit 2008-të i kallëzuar nga ILDKP për refuzim deklarimi nga shtetasi Detar Hysi".
Sipas prokurorisë, në këtë rast është vendosur pushimi i hetimeve për faktin se ILDKP-ja nuk kishte ezauruar më parë masën administrative që kërkon neni 257/a, paragrafi i 2 i Kodit Penal. Vendimi i pushimit i është bërë prezent ILDKP dhe nuk është kundërshtuar nga ana e tyre as në gjykatë dhe as tek prokurori më i lartë.
Kreu i KQZ-së tha se kutitë do të pastrohen për zgjedhjet lokale
Ristani: Fletët e votimit do të asgjësohen
TIRANË - Megjithëse kriza politike midis mazhorancës dhe opozitës vazhdon të mbetet ende e pazgjidhur për shkak të çështjes së hapjes apo mos hapjes së kutive të votimit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur që të asgjësojë fletët e votimit të zgjedhjeve të 28 Qershorit.
Kryetari i këtij komisioni, Arben Ristani, ka bërë të ditur dje se institucioni që ai drejton, pavarësisht kërkesës së vazhdueshme të opozitës për të hapur kutitë e votimit me qëllim kryerjen e plotë të transparencës së zgjedhjeve, do të kryejë procedurat e djegies së fletëve të votimit, pasi kutitë e votimit do të përdoren për zgjedhjet e ardhshme lokale, që do të mbahen më 2011-të. Ristani vuri në dukje se asgjësimi i fletëve bëhet për faktin se kutitë duhet të jenë funksionale rreth nëntë muaj para mbajtjes së procesit zgjedhor.
Procesi i pastrimit të kutive, sipas Ristanit, mund të fillojë në muajin gusht të këtij viti, muaj në të cilin mund të caktohet edhe data e zgjedhjeve lokale të vitit të ardhshëm. "Me afrimin e zgjedhjeve të ardhshme, përgatitja për të cilat fillon 9 muaj përpara, që do të thotë se diku nga gushti i këtij viti do të dalë dekreti i Presidentit për caktimin e datës së zgjedhjeve, ne do të na duhet të fillojmë përgatitjet dhe do të jetë besoj afati maksimal, i fundit për ta mbyllur këtë problem.
Një pjesë e përgatitjeve është edhe pastrimi dhe lirimi i kutive", - tha dje Ristani në një intervistë televizive. Kutitë e votimit ruhen nga policia në zonën e Lundrës pak kilometra nga qendra e Tiranës dhe sipas nenit 178 të Kodit Zgjedhor fletët e votimit mund të digjen vetëm me miratimin paraprak të KQZ-së.
"Asnjë procesverbal i KQV-së, KZAZ-së ose i një komisioni tjetër zgjedhor, nuk mund të asgjësohet pa miratimin paraprak të KQZ-së", - thuhet në nenin 178/1 të Kodit Zgjedhor. Djegia e fletëve të votimit mund të ishte kryer edhe më parë, por, sipas kreut të KQZ-së, institucioni që ai drejton nuk e ka marrë këtë veprim për shkak të vazhdimësisë së debatit politik, si dhe hapësirave që krijon ligji.
Por, edhe pse debati politik për çështjen e hapjes apo mos hapjes së kutive të votimit vazhdon ende, duke mos dhënë rrugëzgjidhje edhe për krizën politike, institucioni i administrimit të zgjedhjeve e ka bërë të qartë se fletët e votimit do të digjen.
********************
Neni 178 i Kodit Zgjedhor
Ruajtja e dokumentacionit
1. Asnjë procesverbal i KQV-së, KZAZ-së ose i një komisioni tjetër zgjedhor, nuk mund të asgjësohet pa miratimin paraprak të KQZ-së.
2. Të gjitha procesverbalet e KQV-së ose të çdo komisioni tjetër të ngritur nga KZAZ-ja, i jepen KZAZ-së në mënyrën dhe kohën e caktuar nga KQZ-ja.
********************
Ndërsa kryetari i PS-së, Edi Rama, paralajmëroi se muaji prill do të jetë muaji i protestave
Pitella: Kuvendi të hetojë plotësisht zgjedhjet
TIRANË - Zëvendëspresidenti i Parlamentit Europian, Xhani Pitella, ka apeluar sërish dje ndaj klasës politike shqiptare për të zgjidhur krizën politike, duke kryer transparencën e plotë të zgjedhjeve të Qershorit. Pitella doli në mbështetje të kërkesës së Partisë Socialiste, duke e cilësuar atë si legjitime për të garantuar zgjedhje transparente dhe sipas standardeve ndërkombëtare.
Në një konferencë të përbashkët për shtyp me kreun e opozitës, Edi Rama, zëvendëspresidenti i PE-së kërkoi që forcat politike shqiptare të tregojnë pjekuri në zgjidhjen e krizës politike për të gjetur një pikë takimi dhe ekuilibri midis tyre. "Më duket se askush nuk do të vejë në diskutim rezultatin e zgjedhjeve të kaluara, por është vullneti dhe besoj kërkesa legjitime për të garantuar për të ardhmen zgjedhje transparente, të sigurta që tregojnë qartësisht se kush është fituesi i vërtetë.
Unë mendoj se një klasë politike inteligjente që shikon nga Europa dhe që ka për zemër interesin e komunitetit të vet duhet të dijë të gjejë një pikë ekuilibri mes kësaj nevojë për transparencë dhe nevojës për qetësim të përgjithshëm të klimës politike", - tha dje Pitella. Ai theksoi se transparenca e zgjedhjeve duhet të kryhet, pasi kjo nuk është vetëm në interesin e opozitës, por është në interes të të gjithë shqiptarëve.
Duke vlerësuar kthimin e opozitës në Parlament, Pitella nënvizoi se përplasja ideologjike midis partive politike duhet të rezultojë me një zgjidhje të situatës politike si një garanci maksimale për transparencën e zgjedhjeve të ardhshme.
Për këtë arsye, Pitella theksoi se opozita duhet ta zhvillojë betejën politike në Parlament. "Unë nuk kam shqiptuar kurrë fjalën bojkot. Kam thënë vetëm dhe përsërisë që në një situatë normaliteti beteja politike bëhet në parlament.
Unë vlerësoj pozitivisht faktin që Grupi Parlamentar Socialiste u kthye në Parlament, bëri propozimet e tij për transparencën dhe uroj që nga kjo përplasje idesh të dy fronteve që po zhvillohet, mund të lindë një zgjidhje që përsëris duhet të garantojë transparencën maksimale në zgjedhjet e ardhshme", - u shpreh ai. Ndërsa kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, vuri në dukje se opozita i ka ofruar Kuvendit një zgjidhje që mbështetet në Kushtetutë dhe në parimet evropiane të transparencës.
Për sa u përket rikthimit të protestave, Rama qartësoi se i gjithë ky muaj do të dominohet nga protestat deri në protestën e Tiranës më 30 prill. "Ne i kemi ofruar Parlamentit një zgjidhje përmes një nisme ligjore të qartë, të mbështetur në Kushtetutë dhe në parimin europian të transparencës, e nga ana tjetër kemi ftuar shqiptarët që të protestojnë, për ta garantuar këtë zgjidhje dhe për t'ia kthyer popullit të drejtën e plotë dhe të paprekshme të gjykimit të palëve në një proces elektoral.
Protesta jonë ka filluar. Gjithë ky muaj do të jetë muaj protestash, që nuk do të vlerësohen nga numri i pjesëmarrësve, por nga përfshirja e qytetarëve në ngritjen e çështjeve jetike, që janë çështje të jetës së tyre të përditshme dhe që lidhen drejtpërdrejtë me atë që gjendet e kyçur në kutitë e votimit dhe në 30 prill", - theksoi Rama.
*******************
Kriza, PS dje protestë në Lushnjë
LUSHNJË - Kriza ekonomike e sociale ka mbledhur dje në qendër të qytetit të Lushnjës qindra qytetarë, të cilët morën pjesë në protestën e organizuar nga Partia Socialiste e këtij qyteti. Në diskutimet e tyre pjesëmarrësit folën lidhur me rritjen e përditshme të çmimeve, rënien e vlerës së lekut, rrënimin e biznesit, papunësinë, por edhe për premtimet e pa mbajtura të qeverisë. Deputeti i PS-së, Fatos Tushe, u shpreh se Berisha e ka harruar qytetin e Lushnjës pavarësisht premtimeve të dhëna në kohën kur i duheshin votat.
"Sot lushnjarët ndodhen të braktisur dhe të harruar. Ata janë të pambrojtur më shumë se kurdoherë nga qeveria. Standardi i jetesës vazhdon të bjerë në mënyre drastike nga dita në ditë dhe kjo vjen për shkak të shtimit të numrit të të papunëve", - tha Tushe.
Ai gjithashtu ngriti edhe problemin, që shumë shërbime të cilat më parë kryheshin në këtë qytet, tashmë kanë kaluar në Fier. Kështu, qytetarëve lushnjarë u duhet të udhëtojnë për në qytetin fqinj për të siguruar shërbimet. Ata kërkuan kthimin e shërbimit të marrjes së patentave, të zyrës tatimeve, të shëndetësisë, shërbime këto që prej rreth dy javësh janë transferuar në Fier.
Në protestë mori pjesë edhe deputeti Bashkim Fino, i cili akuzoi kryeministrin për mashtrimet e tij, ndërkohë që kërkoi hapjen e kutive të votimit të 28 qershorit. Kryetari i bashkisë së Lushnjës, Albert Sanxhaku, ngriti akuza lidhur me rrëzimin e projektbuxhetit të bashkisë nga ana e këshillit bashkiak me votat e PD-LSI-së. ndërkohë, kreu i PS-së së Lushnjës, Ahmetaj, pas kërkesës për hapjen e kutive të votimit, u përqendrua pikërisht tek premtimi i pa mbajtur nga mazhoranca qeverisëse lidhur me kthimin e Lushnjës prefekturë me vete.
Deputetët e PS-së e cilësuan fjalën e Berishës si demagogjinë e radhës që kërkon t'i shmanget realitetit
Projekti, PS: Berisha gënjeshtar dhe i paaftë
TIRANË - Të pavend dhe demagogji të radhës e kanë cilësuar dje deputetët e PS-së, fjalën e kryeministrit Sali Berisha dje në Kuvend. Kryetari i grupit parlamentar i PS-së, Gramoz Ruçi, ka deklaruar menjëherë pas fjalës së kryeministrit Berisha se ligjërata e tij ishte krejt e pavend dhe se nuk duhej të merrej seriozisht.
"Mos e merrni seriozisht se sot është 1 Prilli", - tha Ruçi. Sipas tij, kjo është shashka e radhës e kryeministrit që sa herë do të tërheqë vëmendjen hedh nga një të tillë. "Duke kërkuar që të tërheqë vëmendjen nga problemet e vërteta të vendit dhe kërkesën e vazhdueshme të opozitës për hapjen e kutive të 28 qershorit, Berisha na foli këtu për sheshin "Skënderbej".
Pas fjalës së tij, më mbetet vetëm të them: Kush foli, për kë foli dhe ku foli", - tha Ruçi. Ai ftoi Berishën që të trajtojë problemet kryesore që shqetëson sot vendin. Ndërkohë, të painformuar, gënjeshtar dhe të paaftë e ka quajtur deputeti i PS-së, Eduard Shalsi, kryeministrin, pasi ky i fundit lëshoi akuza për projektin e bashkisë për sheshin "Skënderbej".
Sipas Shalsit, kryeministri i vendit ka qenë në lartësinë e festës së vet dhe e tregoi veten si gënjeshtar, të paaftë dhe të papërgjegjshëm. "Nuk kam parë njeri të flasë dhe të bëjë gafa të paimagjinueshme si bëri ai njeri në atë hapësirë të shkurtër kohe. Ai nuk e ka idenë që ekziston një projekt për sheshin dhe nuk e di që është bërë studim për transportin... Mjerë kush të ka ty Kryeministër me votë, se për ne je thjesht kryeministër me vendim gjykate", - tha Shalsi.
Për qëndrimin e kryeministrit Sali Berisha ka reaguar dje edhe deputeti i PS-së, Fatmir Xhafaj. Ky i fundit, në një deklarim për mediat, është shprehur se kryeministri po i shmanget thelbit të problemit. "Ai kërkon me çdo kusht të anashkalojë thelbin e krizës. Për këtë nuk ka as angazhim dhe as seriozitet nga ana e mazhorancës", - tha Xhafaj, duke shtuar se ajo që ndodhi në Parlament me fjalën e Berishës, nuk ishte tjetër veçse demagogjia e radhës.