Vrasja në Krujë, policia: Nuk ka motiv për vrasjen

EKZEKUTIMI/ Deklarohet se vrasësi ka qenë i maskuar dhe ka qëlluar me 13 plumba mbi trupin e 50-vjeçarit Arben Duka
KRUJË - Një person i maskuar është parë duke u larguar me vrap pasi mbi trupin e 50-vjeçarit Arben Duka janë zbrazur plot 13 plumba kallashnikovi. Burime nga policia bëjnë të ditur se një nga personat e marrë në pyetje ka dëshmuar se pasi ka dëgjuar shkrepjen e një arme ka dalë për të parë ç'kishte ndodhur dhe në këtë moment ka parë vrasësin të largohej. Mësohet viktima 50-vjeçare ka gjetur vdekjen e menjëhershme pasi plumbat i ka marrë në të gjithë trupin, ndërkohë që fatal për të ka qenë plumb i marrë në qafë, që i ka këputur venën kryesore të furnizimit me gjak. Nëntë vetë janë shoqëruar në polici dhe janë marrë në pyetje nga oficerët e policisë gjyqësore, ndërkohë që ende nuk ka një pistë në të cilën po hetohet lidhur me ngjarjen e ndodhur.
Zëdhënësja e policisë së Durrësit, Ornela Cako, ka deklaruar gjatë së premtes, se gjatë marrjes në pyetje të personave të ndryshëm, të afërm e të njohur të viktimës është konstatuar se viktima nuk ka pasur konflikte që mund të çonin në vrasje dhe një fakt i tillë e bën akoma më të vështirë identifikimin e vrasësit. Në fakt, ndërsa një ditë më parë dyshohej se kishin qenë disa autorë të përfshirë në vrasjen e babait të tre fëmijëve, pasi ka mbërritur në vendngjarje dhe pasi është përcaktuar vendi nga është qëlluar, është arritur në përfundimin se vrasja është kryer nga një person i vetëm. Dëshmitari i marrë në pyetje nga policia ka deklaruar se pasi ka dëgjuar të shtënat, ka dalë për të parë dhe në atë moment i ka tërhequr vëmendjen një person i maskuar i cili po largohej me vrap. Më pas ka parë edhe 50-vjeçarin të shtrirë në tokë me trupin të mbushur me plumba.
Burime nga vendi i ngjarjes shprehen se mbi viktimën është zbrazur një gjysmë karikatori automatiku. 13 plumba e kanë kapur në shpatull, qafë dhe kokë, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Saktësohet se në momentin që është qëlluar mbi të 50-vjeçari Duka ka qenë duke larë automjetin e tij, tip fuoristradë, në një kënd të pallatit të cilin e përdorte si garazh. Vrasësi kishte zënë pritë në pjesën e sipërme të pallatit, mbi gardhin rrethues të tij. Ai ka pritur deri në momentin që viktima ka qenë më pranë tij në lëvizje kur ka qëlluar, ndërkohë që plumbat janë në pjesën e sipërme të trupit. Arben Duka, baba i tre fëmijëve, mësohet se punonte si shofer kamionësh dhe se kishte një automjet të vetin, tip fuoristradë. Burime ende të pakonfirmuara shprehen se një nga pistat që mund të ketë shkaktuar vrasjen mund të ketë lidhje me borxhe, megjithëse një gjë e tillë pritet ende të verifikohet nga hetimet e mëtejshme.