E Shtunë, 31 Tetor 2026

INSIG sërish në shitje, ofertues edhe nga vendi

08/10/2009  Komisioni i Ekonomisë miraton projektligjin për shitjen e 100% të aksioneve

Qeveria nxjerr për shitje kompaninë e sigurimeve INSIG. Pas tërheqjes së kompanisë amerikane nga tenderi i zhvilluar në fillim të këtij viti, gjatë fazës së negocimit, në Komisionin parlamentar të Ekonomisë ka mbërritur projektligji i ri për shitjen e 100 për qind të aksioneve të kompanisë nëpërmjet tenderit të hapur ndërkombëtar. Me këtë ndryshim të formulës të prezantuar para deputetëve pritet që kompania shtetërore e sigurimeve INSIG ti nënshtrohet një procesi tjetër tenderi me risinë që për blerjen e tij mund të përfshihen në garë kompani vendase.

Formula e re

Lindita Rusmali, drejtoreshë e Legjislacionit në Ministrinë e Financave, theksoi para deputetëve të Komisionit të Ekonomisë se në tenderin e hapur ndërkombëtar do të dalin 100 për qind të aksioneve të kësaj kompanie. Kjo për shkak se edhe BERZH dhe IFC dy institucionet ndërkombëtare financiare të rëndësishme i kanë kthyer qeverisë shqiptare 39 për qind të aksioneve që zotëronin. Në komision u miratua projektligji për përcaktimin e formës dhe të formulës së privatizimit të INSIG, sha-së, një element i rëndësishëm i të cilit është përfshirja e ofertave nga ana e kompanive shqiptare. Instituti i Sigurimeve u krijua në 31 korrik 1991 me miratimin e ligjit nga Parlamenti për krijimin e Institutit të Sigurimeve, duke e ndarë atë nga Instituti i Arkave të Kursimit dhe Sigurimeve. INSIG numëron mbi 150 mijë klientë në të gjithë vendin dhe është një ndër shoqëritë më të fuqishme në tregun e sigurimeve me një shtrirje rajonale në territorin e Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë. Që nga krijimi i tij dhe deri në vitin 2000 Instituti i Sigurimeve ka qenë institucion tërësisht shtetëror. Viti 2000 do të shënonte fillimin e hapave për privatizimin e kompanisë, duke e kthyer atë në një shoqëri anonime, mbështetur në vendimin e Këshillit të Ministrave. Ndërkohë viti 2007 ishte viti që përgatiti kompaninë në rrugën drejt privatizimit.

Privatizimi

Procesi i privatizimit të INSIG-ut filloi në janar të vitit 2007 dhe kaloi në disa faza, ku paraqitën interes dhe morën pjesë 10 kompani të huaja si investitorë strategjikë për privatizimin e tij. Duke rënë dakord me BERZH –in dhe IFC, procesi u konsultua nga BNP Paribas, ndërsa me tender të hapur ndërkombëtar u përzgjodh kompania ndërkombëtare KPMG për vlerësimin e çmimit që ofrohej për shitjen e kompanisë INSIG. Fillimisht kanë paraqitur interes për privatizimin e INSIG-ut 10 kompani të huaja, si investitorë strategjikë. Në garë u parakualifikuan 8 kompani mes të cilave edhe “American Reserve Life Insurance”, e cila ofroi një çmim prej 41 milionë eurosh në total. Kjo kompani u tërhoq nga blerja e INSIG-ut për shkak të krizës financiare globale. Meqë BERZH dhe IFC ekzekutuan të drejtën e rishitjes së aksioneve, e cila skadonte në fund të vitit 2008, INSIG zotërohet 100% nga shteti shqiptar.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›