E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjenden 11 ton me lëndë toksike

08/10/2009  Sasia u zbulua pas arrestimit të rojës së sasisë së magazinuar në Labinot Fushë

Izolohet vendi, priten përgjigjet e analizave. Dyshime për material radioaktiv

ELBASAN- Seksioni kundër Akteve Terroriste pranë Drejtorisë së Policisë në Elbasan ka arritur të zbulojë gjatë hetimeve një sasi të konsiderueshme lënde të dyshuar si toksike pas arrestimit të një personi të ngarkuar për ruajtjen e fuçive. Operacioni për arrestimin e Lulëzim Gjocit më 28 shtator ka sjellë edhe një kontroll në magazinën që kishte në ruajtje. Gjoci ishte i shpallur në kërkim për veprën penale të “prodhimit dhe mbajtjes pa leje të armëve luftarake”. Policia ka bërë një kontroll të imtësishëm të magazinës në Labinot Fushë në vendin e quajtur Ndërmarrja e Furnizim Ndërtimin ku edhe janë verifikuar 56 fuçi me lëndë të dyshimtë si toksike. Menjëherë ekspertët e policisë kanë marrë mostrat duke i dërguar në laborator të specializuar dhe kanë izoluar dhe bllokuar vendin ku ndodheshin fuçitë. Gjithashtu është zbuluar edhe personi që dyshohet se ka bashkëpunuar me Gjocin për grumbullimin dhe magazinimin e lëndëve të rrezikshme. Kështu bëhet e ditur se është shpallur në kërkim shtetasi Baftjar Ruka me banim në Tiranë, i cili dyshohet se ka transportuar sasinë e lëndës në drejtim të vendit të quajtur Ndërmarrja e Furnizim Ndërtimit në Labinot Fushë.

Helmet

Sipas informacionit zyrtar, fuçitë dyshohet se përmbajnë helme të forta. Gjithsesi pritet përfundimi i analizave laboratorike për sasinë e pesticideve të bllokuara. Aktualisht ato ndodhen në ruajtje nga ana e agjentëve të policisë. Gjithashtu lënda e gjetur po i nënshtrohet edhe analizave toksike dhe radioaktive për të përcaktuar nëse janë të tilla apo jo. Drejtues të policisë lajmërojnë banorët të mos alarmohen pasi sasia është e bllokuar dhe nuk përbën aktualisht asnjë rrezik për ta. Janë gjithsej 11 ton lëndë të rrezikshme të dyshuar me përmbajtje toksike në fuçi metalike aktualisht të magazinuara në Labinot Fushë. Pritet që provat e grumbulluara pas rezultateve përfundimtare të ekspertëve të çojnë më tej hetimet e nisura për të zbuluar prejardhjen e fuçive dhe rrezikshmërinë e tyre për banorët e zonës. Sipas të dhënave të para, agjentët dyshojnë për helme të forta, por nuk përjashtohet edhe përmbajtja radioaktive e tyre.

Dyshimet për ardhjen nga uzina përpunimi kanë bërë që të kërkohet kapja dhe shoqërimi i personit të dytë që ka lidhje me këto mbetje. Ruka dyshohet si transportues i të gjithë sasisë së fuçive. Dhe aktualisht deklarohet vetëm Durrësi si vend nga mund të vijë kjo sasi. Gjithsesi sipas drejtuesve të policisë është ende herët për të dalë në përfundime. Gjithçka do ta sqarojnë analizat laboratorike. Atëherë do të vendoset procedimi për dy shtetasit e përfshirë. Edhe në rast se këto sasi rezultojnë helme të forta dy personat e përfshirë pritet të penalizohen për shkak të mos respektimit të sigurisë për këto lloj lëndësh.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›