E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

INSTAT: 1,4 milionë të huaj dhe vendas hynë në Shqipëri gjatë dhjetorit

TIRANË, 24 janar /ATSH/ Gjatë muajit dhjetor 2024 rezultojnë të kenë hyrë në territorin e Republikës së Shqipërisë 1.442.193 shtetas shqiptarë dhe të huaj. Ky tregues ka pësuar një rritje me 5,8%, krahasuar me dhjetor 2023, bëri të ditur INSTAT.

Sipas INSTAT, 1.251.392 shtetas shqiptarë dhe të huaj rezultojnë të kenë dalë nga territori i Republikës së Shqipërisë, duke shënuar një rritje me 8,6%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Sa i përket hyrjeve të shtetasve, INSTAT bën të ditur se, në dhjetor 2024, numri i shtetasve shqiptarë që kanë hyrë në territorin shqiptar është 787.851, duke pësuar një rritje me 5,7%, krahasuar me dhjetor 2023.

Numri i shtetasve të huaj që kanë hyrë në territorin shqiptar është 654.342. Ky numër është rritur me 6,1%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2023.

Lidhur me daljet në muajin dhjetor 2024, 646.178 shtetas shqiptarë numërohen të kenë dalë nga territori i Shqipërisë, duke shënuar rritje me 7,3%, krahasuar me dhjetor 2023.

Daljet e shtetasve të huaj nga territori i Shqipërisë gjatë muajit dhjetor 2024 janë 605.214. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ky tregues është rritur me 10,0%.

Sipas INSTAT, në dhjetor 2024, 97% e hyrjeve të shtetasve të huaj në Shqipëri janë nga rajoni i Evropës. Evropa Jugore zë 84% të hyrjeve të shtetasve të huaj nga kontinenti evropian, ndjekur nga Evropa Perëndimore me 7%.

Qëllimi i hyrjes në territorin shqiptar i shtetasve të huaj, në 97% të rasteve është për qëllime personale, ku dominojnë hyrjet për pushime, vizitë tek të afërm, etj. Në dhjetor 2024, ky tregues ka shënuar një rritje me 5,4%, krahasuar me dhjetor 2023. Rritje të ndjeshme në muajin dhjetor kanë patur edhe hyrjet e shtetasve të huaj për qëllime biznesi dhe profesionale, me 73,3%.

/r.e/a.f/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›