INSTAT: 30% më pak biznese të regjistruara
Viti 2009, që konsiderohet ndër më të vështirit për sektorin privat, regjistron nivel të ulët regjistrimi për hapjen e aktivitetit privat. Duke e krahasuar me të dhënat që prej vitit 2004, rezulton se ritmi rritës pësoi ulje me 30 për qind gjatë vitit të kaluar. Sipas INSTAT, në vitin 2008, kemi 17 mijë biznese të reja që nisën aktivitetin, kurse në 2009-n, rreth 12 mijë, pra një diferencë jo pak e vogël. Ndryshe nga bizneset e vogla dhe të mesme, që pësuan rritje më të moderuar, subjektet taksapaguese VIP prekën rritje me gati 100 për qind.
INSTAT konfirmon zyrtarisht se në vendin tonë janë aktive deri në fund të vitit 2009, 109,267 ndërmarrje. Ndërmarrjet me 1-4 të punësuar dominojnë në numër, rreth 92 për qind, kurse prodhuesit e shërbimeve përfaqësojnë 85 për qind të ndërmarrjeve. Në vendin tonë, 734 ndërmarrje janë klasifikuar si VIP, pra tatimpagues të mëdhenj, me xhiro që e kapërcejnë 1.5 milionë euro në vit. Në vendin tonë mbizotërojnë bizneset e vogla, kryesisht me numër punonjësish që nuk e kalojnë stafin me katër vetë, e në të tilla rastesh, janë me përbërje familjare. Kështu, në vitin 2009, kemi të regjistruar si biznes i vogël rreth 100 mijë subjekte, ku gati 98 mijë kanë të punësuar 1 deri në 4 vetë. Pjesa më e madhe, 62 për qind, kanë vetëm të vetëpunësuar, kurse ndërmarrjet e mëdha, me 50 e më shumë të punësuar, përfaqësojnë në numër më pak se 1 për qind, por kontributi i tyre në punësim në ndërmarrjet ekonomike është shumë i ndjeshëm, rreth 44 për qind. Po ashtu, kemi 3238 biznese me të punësuar 10 deri në 49 punonjës, dhe 800 biznese me mbi 50 punonjës, duke i klasifikuar si subjekte tatimpaguese të mëdha, ose siç quhen ndryshe VIP. Duke parë shkallën e lindshmërisë dhe ndryshimit të formës ligjore, pra madhësisë, mund të thuhet se, në vitin 2009, u krijuan 12 mijë e 823 biznese, ku 11,886 ishin biznese të vogla dhe 14 të mëdha (VIP).
Të tjera të dhëna nga INSTAT tregojnë se mbizotërues në numër janë ndërmarrjet me aktivitet tregtar dhe hotele, bar-kafe e restorant, 62 për qind, kurse në fund të vitit 2009, ishin aktive 109,267 ndërmarrje dhe gjysma e tyre janë përqendruar në qarqet Tiranë e Durrës.
#