E Shtunë, 31 Tetor 2026

INSTAT: Kostoja e prodhimit ulet me 1.4 për qind

Indeksi i çmimit të prodhimit është ulur me 1.4 për qind në tre muajt e parë të këtij viti.  Ndërkohë që industria nxjerrëse shënoi një rritje prej 6.3 për qind për shkak të rritjes së çmimeve të produkteve në aktivitetet. Shifrat janë bërë publike nga Instituti i Statistikave sipas të cilit mësohet se Nxjerrja e produkteve energjitike është rritur me 10.6 për qind ndërsa indeksi

i çmimeve të prodhimit në degën Industri Përpunuese shënoi rritje me 1.7 për qind. Industria tekstile me 3.5 për qind, Metalurgjia dhe përpunimi i metaleve me 4.6 për qind. Ndërsa çmimet e prodhimit në aktivitetet e tjera si:Industria kimike, Fabrikimi i pajisjeve elektrike dhe elektronike kanë shënuar ulje përkatësisht me 0.2 për qind dhe 0.7 për qind. Indeksi i Çmimeve të Prodhimit për produktet vendase arriti 105.5 për qind duke shënuar një ulje prej 3 për qind Krahasuar me tremujorin e katërt 2009. Këtu mund të përmendim rritjen e çmimeve në degët Industri nxjerrëse prej 6.6 për qind dhe Industri përpunuese prej 1.2 për qind. Indeksi i Çmimeve të Eksportit (viti 2005 = 100) arriti 117.7 për qind duke shënuar një rritje prej 2.3 për qind krahasuar me tremujorin e mëparshëm. Këtu mund të përmendim rritjen e çmimeve të produkteve në degën: Indeksi i Çmimeve të Prodhimit (IÇP) mat ndryshimin e çmimeve të produkteve në pikën e parë të shitjes pas prodhimit. Indekset llogariten për çdo produkt të klasifikuar sipas Nomenklaturës së Produkteve (NP) në nivel 6-shifror dhe publikohen sipas degëve të ekonomisë në nivel 2-shifror. Për rinovimin e shportës së ndërmarrjeve dhe shportës së produkteve u shfrytëzuan rezultatet e Anketës Strukturore pranë Ndërmarrjeve Ekonomike të vitit 2004. Përcaktimi i peshave të produkteve me destinacion tregun vendas u realizua duke u mbështetur në rezultatet e po kësaj ankete ndërsa pesha e produkteve me destinacion eksport u realizua duke shfrytëzuar të dhënat statistikore të tregtisë së jashtme. Në Indeksin e Çmimeve të Prodhimit peshat e produkteve do të rinovohen çdo vit duke eliminuar në këtë mënyrë imputimet e çmimeve për produktet që mund të mos prodhohen në vitet në vazhdim.

Rritet çmimi i naftës, 77 dollarë për fuçi
Nafta humbi 0,8 për qind, drejt 77 dollarëve të enjten, duke rënë nga maja që rroku një ditë më parë, pasi ritmi i rritjes së kërkesës u vu në pikëpyetje pas të dhënave të përziera ekonomike dhe shifrave mbi gjendjen e depozitave të karburantit në SHBA. Prodhimi industrial në SHBA u rrit më shpejt nga parashikimi për majin, ndërsa shitja e shtëpive ra më tepër nga sa pritej. Dhe kërkesa në shkallë vendi për distilate, përfshi naftën për ngrohje dhe atë dizel, kërcyen lart në 4 javët e fundit, teksa depozitat e naftës bruto shënuan një rritje surprizë javën e kaluar. Rikthimi i shqetësimit për borxhin e Spanjës dhe sistemin bankar e ulën euron nga maja 2-javore që preku të mërkurën ndaj dollarit. Ky i fundit i shtoi fitimet të enjten, duke u rritur 0,3 për qind ndaj shportës së valutave të tregtisë. Liderët evropianë shpresojnë të arrijnë një marrëveshje mbi mënyrën si të forcojnë disiplinën buxhetore dhe të koordinojnë politikat ekonomike, në një takim që zhvillohet sot në Bruksel, për tu treguar tregjeve financiare se dinë të menaxhojnë krizën e borxheve. Nafta bruto amerikane për korrikun ra 58 centë në 77,09 dollarë për fuçi.

Spanja ligjëron pushimet masive nga puna
Kabineti spanjoll, miratoi reformën shumë të debatuar të sektorit të punësimit. Ky sektor, është cilësuar si një pikë që ka penguar rritjen ekonomike dhe rrëzimin e konkurueshmërisë së vendit. Dekreti hyri në fuqi, por për të qenë i efektshëm qeveria e minorancës socialiste, duhet të marrë edhe votat e opozitës në sesionin e parlamentar të 22 qershorit. Analistët thanë se ka shanse që miratimi të pasohet nga një debat i fortë pasi reduktimi i lartë i pagesave dhe masat e tjera që parashikohen në ligj janë një element që ulin kreditet elektorale dhe politike. Ndërkohë sindikatat më të mëdha spanjolle kanë kërcënuar se do të thërrasin një grevë të përgjithshme në muajin shtator për të kundërshtuar reformën. Qytetarët thonë se pavarësisht se nuk u pëlqen reforma ata do ta pranojnë atë pasi është e vetmja mënyrë për të rritur ekonominë e vendit. Shumica e ekonomistëve thonë se reforma e thellë në sektorin e punësimit është jetësore për ringjalljen e ekonomisë, pasi Spanja ka koston më të lartë në mesin e vendeve të zhvilluara për punësimin dhe largimin nga puna.

Last Updated on E Enjte, 17 Qershor 2010 20:37

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›