INSTAT: Në 2 muajt e parë mbi 1 milion turistë të huaj në Shqipëri

TIRANË, 25 mars /ATSH/ Shqipëria po kthehet në një destinacion të preferuar nga vizitorët e huaj edhe gjatë stinës së dimrit.
Sipas Institutit Kombëtar të Statistikave (INSTAT), numri i shtetasve të huaj që kanë hyrë në territorin tonë në muajin shkurt është mbi 516 mijë, duke shënuar rritje me 7,4%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024.
Gjithashtu, nëse i referohemi shifrave zyrtare gjatë dy muajve të parë të këtij viti në vendin tonë kanë hyrë mbi 1 milion shtetas të huaj kryesisht për turizëm.
Të dhënat e INSTAT tregojnë se, gjatë muajit Shkurt të këtij vitit, 96% e hyrjeve të shtetasve të huaj në Shqipëri janë nga rajoni i Evropës, ku ajo Jugore zë 83% të turistëve të huaj, ndjekur nga Evropa Perëndimore me 6%.
Të ndara sipas qëllimit të hyrjes në Shqipëri në 97% të rasteve dominojnë hyrjet për pushime apo vizitat tek të afërmit thuhet në raportin e INSTAT.
Në muajin Shkurt, ky tregues ka shënuar rritje me 7,4% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024.
Nga ana tjetër, rritje muajin e kaluar kanë patur edhe hyrjet e të huajve për qëllime biznesi apo dhe profesionale me 29,6%, thekson INSTAT.
/a.f//r.e/

