E Hënë, 2 Nëntor 2026

Siguria e ujit të pijshëm në Lezhë, shtohen kontrollet dhe analizat laboratorike për ndotjen

Pas shqetësimeve të ngritura disa ditë më parë nga qytetarët për ndotjen e ujit të pijshëm, Njësia Vendore e Kujdesit Shëndetësor (NJVKSH) Lezhë ka shtuar kontrollet dhe analizat laboratorike për të siguruar cilësinë dhe sigurinë e furnizimit me ujë.

Mostrat e ujit merren çdo ditë në 13 pika të ndryshme kyçe të rrjetit të furnizimit dhe analizohen në laboratorin përkatës.

Rezultatet e fundit kanë treguar se niveli i ndotjes është ulur dhe parametrat kryesorë fizikë, kimikë dhe bakteriologjikë janë brenda normave të lejuara.

“Sipas të gjithë ekspertëve të laboratorëve fiziko-kimikë dhe mikro-biologjikë, deri në këto momente që flasim nuk ka pasur asnjë moment përcaktues për të ndaluar ujin e pijshëm në qytetin e Lezhës,” thotë drejtori i NJVKSH-së, Elson Frroku.

Ai shton gjithashtu se  autoritetet shëndetësore do të mbeten në gatishmëri dhe po bashkëpunojnë me institucionet përgjegjëse për të identifikuar shkakun e ndotjes së mëparshme dhe për të parandaluar përsëritjen e rasteve të tilla.

“Për sa kohë NJVKSH Lezhë është në krye të detyrës për të marrë mostrat e analizave të ujit të pijshëm çdo ditë, do të thotë që uji i pijshëm monitorohet çdo ditë. Nëse ka një problem në ujin e pijshëm patjetër që do të njoftohen të gjitha autoritetet përkatëse,” shprehet z. Frroku.

Autoritetet u kanë bërë thirrje qytetarëve të njoftojnë Njësinë Vendore të Kujdesit Shëndetësor për çdo problematikë të mundshme në lidhje me cilësinë e ujit, ndërsa monitorimi do të vazhdojë në intervale të rregullta për të garantuar sigurinë e konsumatorëve.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›